Në këtë kohë pa kohë, në Kosovën tonë të dashur gjithçka është pa kuptim; shumë çka është absurde dhe asgjë nuk ka vlerë. Në politikën tonë nuk po shihet zhvillim e përparim, por vetëm përçarje, mospajtime, debate, pakënaqësi e gjithçka jo të mirë.
Opozita në njërën anë, shoqëria civile dhe pjesa e pakënaqur e popullit në anën tjetër, nuk janë të kënaqur me punën e deritanishme të qeverisë, të cilën e sulmojnë qoftë me fjalë, po ashtu edhe me mjete të tjera të demokracisë për të shpalosur revoltën dhe pakënaqësitë.
Në Kuvend, aty ku fjala është i vetmi mjet qoftë për zgjidhjen e problemeve, qoftë për shpalosjen e mospajtimeve, debatet, replikat e besa-besa edhe sharjet e fyerjet nuk kanë të ndalur. Jashtë institucioneve po ndodhin pothuajse të njëjtat gjëra: protesta, greva e mospajtime, të cilat si duket nuk po rezultojnë me sukses nga ana e institucioneve. Shtrohet pyetja: është faji i institucioneve që nuk lejojnë kryengritje të tilla, apo edhe i protestuesve që po i thyejnë rregullat e protestave demokratike, siç ndodhin në botën moderne? Varet se nga cili kënd dëshirojmë ta marrim përgjigjen e kësaj pyetjeje! Përgjigja është vet pyetja dhe anasjelltas.
Ajo që kërkohet nga Qeveria është një “zgjidhje” e kësaj situate, të cilën vështirë se do ta gjejë, e në anën tjetër, si në Kuvend, njëlloj edhe jashtë saj kërkojnë “zgjedhje” të cilat vështirë se do të ndodhin. Arsyeja e kësaj të fundit besoj që është mosinteresimi qytetar, pasi që populli është lodhur nga zgjedhjet kaq të shpeshta, aq më shume nga premtimet boshe, “mashtrimet”, fushatat e pavlera e të ngjashme.
Ndërkaq, e para e asaj që u tha më lartë, për mundësinë e “zgjidhjes”, edhe kjo besojë nuk do të gjendet, pasi që, ajo që pozita propozon dhe vepron nuk i përshtatet aspak opozitës dhe anasjelltas, gjë që po e çon vendin në një kaos, po e fut në telashe dhe me këtë nuk po arrihet asgjë! Kjo është pyetje pa përgjigje, kub i pazgjidhur i rubikonit, apo edhe detyrë matematike – jo me një a dy të panjohura, por me të gjitha të panjohura.
Nga aspekti i përgjithshëm, zgjidhja dhe zgjedhja qëndrojnë paralel. Të marrim shembull çështjen e veriut – thënë lirisht çështja më e diskutuar për momentin në Kosovë, e cila nga njëra anë, pra nga pushteti kërkohet zgjidhje, ndërsa për të rregulluar këtë çështje, sipas opozitës janë zgjedhjet, pasi që sipas tyre me ardhjen në pushtet do të rregullojnë diçka. E dimë mirë se çka ka ndodhur me veriun që nga paslufta, ani pse në “krye” kanë qenë pothuajse të gjitha subjektet politike.
Pas përfundimit të luftës, optimizmi i qytetarëve, i pushtetit, opozitës dhe të gjithëve ishte se “do të bëhet mirë tani pas luftës”; më pas “do të bëhet mirë pas shpalljes së pavarësisë”, e krejt në fund “do të bëhet mirë pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur”. Besa tani na janë harxhuar edhe shpresat dhe nuk kemi si ta ngushëllojmë vetën. Tani, ajo shpresë që na ka mbetur, është t’i lutemi Zotit për këtë Kosovë, që kurrë nuk i priu e mbara…