Telegrafi

Zgjidhja për veriun, sipas Baroneshës Ashton: Brenda Ahtisaarit

Burime të “Express” bëjnë të ditur se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, mund ta hedhë në tryezë një propozim me të cilin synohet të gjendet një zgjidhje për situatën në pjesën veriore.

Merret vesh se Brukseli ka në propozim këtë çështje që është hartuar nga një diplomat evropian, që është i angazhuar direkt në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Sipas këtij propozimi, komunave veriore u ofrohet anëtarësim në mekanizma specifikë evropianë që promovojnë bashkëpunimin komunal dhe rajonal e në të cilat kryesisht anëtarësohen asociacionet e komunave.

Siç dihet, një mekanizëm i tillë është Këshilli i Komunave dhe Rajoneve Evropiane, që është organizata më e madhe e qeverive lokale dhe rajonale në Evropë.

Po ashtu një mekanizëm që ka të bëjë me qeverisje lokale është edhe Komiteti i Regjioneve, që është trup i BE-së.

Burime të gazetës po ashtu theksojnë se propozimi nuk tejkalon Pakon e Ahtisaarit, e cila lejon bashkëpunimin direkt të komunave me shumicë serbe me Serbinë.

“Komunat kanë të drejtë për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkufitar në fushat e kompetencave të tyre vetjake dhe të zgjeruara”, thuhet në një nga provizionet e pakos së Ahtisaarit. /Telegrafi/