Telegrafi

Zgjidhja për Mitrovicën “qytet me dy komuna”

Në një intervistë për BBC-në, ministri Ferati ka thënë se Pakoja e Ahtisaarit që propozon integrimin e Mitrovicës përmes modelit ‘një qytet me dy komuna’ është zgjidhja e vetme për këtë problem.

Ai tha se në veri të Mitrovicës me shumicë serbe ka një deficit shumë të madh të sundimit të ligjit, ndërsa gjendjen atje e përshkroi si të tensionuar.

Por kreu i ministrisë së pushtetit lokal shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve për komunën e re të Mitrovicës veriore, pavarësisht kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Ferati beson se këto zgjedhje, mund të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, me çka do të përmbyllej procesi i formimit të komunave të reja me shumicë serbe. /Telegrafi/