Tetova, Gostivari dhe i gjithë Pollogu kanë probleme me grumbullimin e mbeturinave dhe për këtë sot është realizuar takim në komunën e Gostivarit për të gjetur zgjidhje, njofton Telegrafi Maqedoni.
Në takim ishin prezent kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta, ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi, ministri i Ekologjisë dhe Planifikimit Hapësinor Bashkim Ameti dhe përfaqësues të fshatrave Banjicë e Poshtme, Banjicë e Epërme dhe vendbanimeve përreth deponisë ”Rusino”.
Nevzat Bejta tha “E informova ministrin e ekologjisë me problemin në fjalë. Ministri ishte në vendngjarje dhe e pa se deponia nuk i plotëson kriteret për të vazhduar me funksionim derisa nuk merren hapa për ndërtimin e fabrikës për riciklim të mbetjeve urbane. Deponia si e tillë u krijua para 11 viteve, por nuk u gjet zgjidhje afatgjate për funksionimin e saj. U pajtuam bashkë me përfaqësuesit e banorëve lokal dhe ministrin që ne nuk kemi asgjë kundër komunave të tjera të Pollogut, por Komuna e Gostivarit nuk ka kushte për të transferuar mbetjet edhe të komunave të tjera, sepse deponia nuk i plotëson kriteret. Ministri e mori për obligim ta informon qeverinë për problemin me të cilin ballafaqohen banorët e Pollogut. Besoj që ministri dhe kryetarët e komunave të rajonit të Pollogut do të bashkërendojnë dhe do të arrin deri te zgjidhja e problemit. Procesi mund të realizohet shpejt sepse nuk kërkon ndonjë mençuri. Me këtë problem janë ballafaquar edhe vendbanimet e Shteteve të Bashkimit Evropian, dhe ashtu siç e kanë zgjedhur ato, ashtu duhet ta zgjedhim edhe ne”, tha mes tjerash kryetari Nevzat Bejta.
“Sot, me ftesë të kryetarit të Komunës së Gostivarit dhe me iniciativë të banorëve të vendbanimeve përreth Deponisë “Rusino”, patëm rastin të realizojmë një takim pune. I dëgjuam kërkesat dhe hallet e banorëve. Ato i parashtruan ankesat dhe sugjerimet e tyre të cilat janë të arsyeshme për sa i takon mbrojtjes së mjedisit. Kryetari i Komunës së Gostivarit siç e dini doli në mbështetje të banorëve, dhe me iniciativë të tij mbahet ky takim. Ne si ministri jemi të interesuar që sa më shpejt të zgjidhet ky problem i cili kërkon qasje kolektive në nivel të rajonit planor. Pas këtij takimi, do të realizojmë takim edhe me kryetaren e Tetovës, dhe të shohim hapat e mëtejme që duhet ti ndërmarrim. E morëm për obligim që sa më shpejt të përpilojmë informatën dhe ta dorëzojmë në qeveri. Informata do të paraqes të dhëna konkrete dhe të sakta, do të paraqiten alternativat e mundshme, dhe të njëjtat do të shqyrtohen në qeveri”, tha ministri Bashkim Ameti./Telegrafi/