Site icon Telegrafi

Zgjidhja e zgjedhjeve

(Letër e hapur Prokurorit të Shtetit z. Ismet Kabashit)

Në momente kyçe historike, rrethanat dhe ndonjëherë edhe fati, bënë që fati i gjithë një shoqërie është në duart e një personaliteti, një njeriu të vetëm. Nga reagimi dhe veprimi i këtij personaliteti varej se a do shpëtonte ajo shoqëri apo do të bëhej edhe më keq se sa që ishte në atë moment historik kthese. Shembuj në histori janë të shumtë si mbrojtja e kapitenit Drajfus nga shkrimtari Zola. Aktiviteti i Martin Luter King që në fund rezultoi me Demokracinë shembull në botë siç janë SHBA. Nelson Mandela, i cili nuk u thye as nga burgu, e as nga ofertat e regjimit të aparteidit dhe bëri që një shtet siç është Afrika e Jugut të bëhet shtet demokratik, bile sivjet edhe organizoi Kampionatin Botëror të Futbollit.

Sot, Kosova ka ardhur në atë pikë, dhe varet nga reagimi i një personaliteti se a do të lind më në fund demokracia në këtë shtet të pa shtet. Nga reagimi i këtij personaliteti varet se a ia vlen që fëmijët tanë të shpresojnë se do të kenë një të ardhme normale, apo ne si prindër duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që t’i largojmë nga kjo tokë, që më 12 Dhjetor 2010, mund të themi, se po shndërrohet në tokë të mallkuar. E mira është, që këtë mallkim mund ta heq një njeri dhe, për fat të mirë, nuk duhet të bëjë sakrificat që i bënë personalitet e përmendura më lartë. Ky personalitet vetëm duhet ta kryej punën e vet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe sipas kompetencave ligjore të cilat i ka. Asgjë më shumë.

Ky personaliet jeni ju zotëri Ismet Kabashi – Prokuror i Shtetit. Deklarativisht jeni zotuar se do të bëni të gjitha që njerëzit që kanë manipuluar më zgjedhjet e fundit, të marrin dënimin e merituar. Mirëpo me veprimin që keni ndërmarr, Ju nuk na bindni se do ta bëni këtë me të vërtetë. Pse? Sepse, Ju si Prokuror i Shtetit, keni urdhëruar shtatë prokuroritë (regjionale, komunale a çfarë do qofshin ato), “që të bëjnë mbledhjen e materialeve që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor dhe të fillojnë ndjekjen penale në të gjitha ato raste ku gjenden dëshmi të mjaftueshme për këtë.” Rezultati i kësaj urdhërese do të jetë i barabartë me zero. Sepse nuk hetohen problemet zgjedhore nëpër komuna, sepse atje nuk ka çfarë të hetohet. Edhe nëse ka, duhen dëshmitarë, të cilët nuk do të dëshmojnë asgjë. Dëshmitë i keni, e zeza në të bardhë, në materialet zgjedhore në QNR.

Nga urdhëresa Juaj po vërtetohet se juristët tanë gjithmonë kërkojnë gjurmët edhe pse ujkun e kanë para syve. Edhe kur gjinden gjurmët, nuk ka asnjë njeri që mund të dëshmoj se këto janë gjurmë ujku. Kjo do të ndodh edhe më urdhëresën tuaj, ose së paku, kopenë e ujqërve nuk do ta kapni dot, përveç të ndonjë ujku të lodhur e të “pafat”.

Zotëri Prokuror i Shtetit,
Në emër të shpëtimit të demokracisë dhe ardhmërisë së këtij vendi, në emër të shpëtimi të këtij shteti që është nisur pingul e në greminë të pafund, ju lus që urdhëresën tuaj ta ndryshoni menjëherë. Urdhëroni që të gjithë prokurorët që i keni ne dispozicion në krye me Juve t’i ndërroni vendet e tuaja të punës me një vend të përbashkët pune: Në QNR. Ndaloni rinumërimin e pakuptimtë në QNR, sepse qëllimi i këtij rinumërimi është të “barazohen” votat e kandidatëve brenda partive. Asgjë më shumë. Merreni nën kontroll të gjitha kutitë me materialin zgjedhor dhe filloni shqyrtimin në imtësitë më të vogla të të gjithë dokumentacionit.

Pak a shumë duhet të bëni me sa vijon:
Një analizë e imja, e bazuar në listat zyrtare nga website i KQZ-së, tregon se, në Kosovë, afër 9% e votuesve janë të moshës 70 vjeçare e më shumë, më saktësisht të moshës 70-79 janë 92967 votues ose 5.70%; 80-89 janë 37340 votues ose 2.29%; 90-99 janë 8276 votues ose 0.51%; 100-109 janë 1138 votues ose 0.07%; votues dhe mbi 110 vjeçar e më shumë janë 98 votues ose 0.01%. Këto përqindje fuqizohen shumë, duke pasur parasysh se dalja në votime është rreth 40% e trupit zgjedhor. Thuhet se 25% e trupit votues jeton jashtë. Shumë lehtë mund të vijmë në përfundim se nëse në një vendvotim dalja është afër 70%, manipulimi është mese evident. Këtu do të duhej të shikoni me imtësi se sa votues të moshës mbi 70 vjeç kanë votuar dhe të analizoni nënshkrimet e tyre. Nëse na dalin shumë nënshkrime akademike dhe nënshkrime tjera të njëjta, atëherë i thërrisni komisionarët në fjalë që të shpjegohen.

Kur jeni këtu bëni një analizë të të gjitha nënshkrimeve në listën e votuesve dhe për çfarëdo dyshimi kërkoni shpjegime. Kur të keni përfunduar me nënshkrime, merrni formularët e përputhjeve të rezultateve dhe formularët e votave për parti dhe kandidatë. Nëse një parti ka 300 vota, asnjë kandidat i asaj partie nuk mund të ketë më shumë se 300 vota, nëse del se ka, kërkoni shpjegime nga komisionarët përkatës. Nëse një parti ka 300 vota atëherë maksimumi i votave të kandidatëve të asaj partie duhet të jetë 5×300=1500, nëse dalin më shumë kërkoni prapë shpjegime.

Pasi të keni përfunduar me formularët, numëroni fletëvotimet në kuti dhe krahasoni se a përputhen me numrin e shënuar në formularët përkatës. Për çfarëdo mospërputhje kërkoni shpjegime nga komisionarët. Pastaj secilin fletëvotim duhet kontrolluar se a është i vlefshëm apo jo. P.sh., a ka fletëvotimi më shumë se 5 kandidatë të shënuar. Nëse ka, kërkoni shpjegime. Pastaj kontrolloni të gjitha fletëvotimet që janë shpallur të pavlefshme, pasi që flitet se janë rreth 70000 ose 10% e njerëzve që kanë votuar, dhe besoj që aty do te gjeni edhe fletëvotime të vlefshme ose që janë shpallur me qëllim të pavlefshme. Përqindjet e partive me vota të pavlefshme do të duhej të përputheshin, deri me një masë, me përqindjet e rezultateve preliminare të shpallura nga KQZ. Nëse partitë “humbëse” kanë përqindje shumë më të lartë se sa janë shpallur nga rezultatet preliminare, atëherë kemi të bëjmë më zhvleftësim të qëllimtë të votave. Edhe për këtë kërkoni shpjegime. Dhe në fund analizoni votat me kusht, ku përveç komisionarëve, do të gjeni edhe votues të pandërgjegjshëm që kanë votuar disa herë. Kërkoni shpjegime edhe nga komisionarët edhe nga votuesit, pasi që këta votues mund të identifikohen shumë lehtë.

Nëse, ju mund të arsyetoheni se, kjo nuk është punë e juaja, atëherë këtë le ta bëjnë ata që është punë e tyre nën mbikëqyrjen tuaj dhe vartësve tuaj nga të gjitha komunat. E gjitha kjo punë do të bëhej me një vend dhe do të përfundonte relativisht shpejtë dhe çfarë është më e mira nuk keni nevojë për asnjë dëshmitar, sepse dëshmia më e fortë janë vetë dokumentet – sepse nëse një njeri zihet, le të themi, me një çantë plotë me para të falsifikuara, nuk besoj se ju nevojiten dëshmitarë për ta akuzuar. E me këtë rast keni edhe parat e falsifikuar – materialin zgjedhor – e edhe falsifikatorët – Komisionarët.

Do të pasonin akuzat, pastaj edhe dënimet e merituara – pasi që edhe Kryetari i këshillit gjyqësor dhe ai i Gjykatës Supreme kanë deklaruar se lëndët e ardhura në gjykata, për çështjen e zgjedhjeve do të trajtohen me prioritet. Këto dënime do të shënonin ditën e parë të lindjes së demokracisë në Kosovë, si dhe fillimin e rënies rapide të korrupsionit dhe shkeljeve të ligjit në çdo nivel. Sepse njerëzit do të mendonin mire se, “kur për disa vota njeriu është dënuar me 5 vite burg”, a ia vlen që t’i hyhet ndonjë ndërmarrjeje korruptive, apo shkeljeje ligjore, ku dënimet janë edhe më të larta.

Dita kur do të dënoheshin komisionarët kriminelë do të shënonte edhe fitoren e parë të sistemit të drejtësisë të Kosovës dhe daljen tij nga kthetrat e ndikimeve të paskrupullta politike. Gjithashtu do t’iu dëshmonit politikanëve, që shpesh akuzojnë sistemin e drejtësisë që nuk po kryen punën e vet, se ju keni filluar ta kryeni atë.

Zotëri Prokuror i Shtetit, mos kërkoni gjurmët nëpër komuna kur ujkun e keni në QNR. Ndryshoni urdhëresën tuaj ju lutem, nëse jo për neve, atëherë, për fëmijët tanë të cilëve po u mohohet ardhmëria.

Exit mobile version