Kosova është shtet. Kështu përkufizohet në aspektin politiko-juridik, bazuar në specifikat që derivojnë nga Pakoja e Ahtisaarit.
Realisht, Kosova ende nuk funksionon brenda kësaj kornize. Sot, nëse vërehen zhvillimet që janë duke ndodhur, sidomos në pjesën që ka të bëjnë me integrimin e komuniteteve, në veçanti atij serb, dy qasje politike po vijnë duke u formësuar në këtë drejtim.
Është shënuar njëfarë progresi politik në avancimin e pozitës së pakicës serbe deri në krijimin e të drejtës për organizimin e veçantë të një asociacioni të komunave, padyshim si rezultat edhe i presionit politik të Serbisë mbi Prishtinën, e me veprime të kombinuara pjesërisht me faktorët ndërkombëtar në bisedimet e ndërmjetësuara nga baronesha Ashton.
Asnjë politikan me një logjikë të shëndosh nuk do të duhej ta shihte integrimin e pakicave në institucionet e vendit si diçka të dëmshme, por mënyra e krijimit të shtetit të Kosovës ka anashkaluar disa faktorë të tjerë politikë, të cilët sipas një zgjidhjeje dhe trajtimi selektiv, i cili ende vazhdon të ndodh në raport me pakicat, Kosovës do t’i mbetet një barrë e madhe mbi supet e vogla çështja e pazgjidhur e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Në trajektoren e zgjidhjeve së të drejtave të pakicës serbe në Kosovë dhe asaj shqiptare në Luginë, pararalelisht është dashur të ndodh një proces i fillimit të integrimit, që kjo çështje më në fund ta përmbyll një kapitull historik të mbushur me konflikte, tensione, për t’i dhënë kahun e duhur integrimeve në rajon dhe në Evropë.
Në këto zhvillime, në trajtimin e statusit të pakicës serbe, sado që kishte fleksibiltet politik nga Prishtina, që agjenda të mos ngarkohej me çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve të Luginës, kjo fillimisht do të mund të dukej se Prishtina zyrtare nuk e kishte fuqinë politike të mjaftueshme që nën sqetullat e saja t’i mbante dy shalqinj.
Serbia ka pasur një komoditet për të zhvilluar bisedimet për përmirësimin e pozitës së pakicës serbe në Kosovë, përjashto këtu nevojën për një konsensusi politik me partitë politike serbe, qofshin edhe ato që njihen për retorikën nacionaliste dhe opsionet politike më radikale.
Prishtina zyrtare nuk ka pasur shumë probleme rreth ndërtimit të konsensusit politik, por ka qenë më shumë e sfiduar politikisht nga Beogradi zyrtar, sepse procesi i integrimit të pakicës serbe në Kosovë ka qenë i shtrirë brenda kufijve dhe sovranitetit të saj kushtetues. Ndërsa, shmangia nga një trajtim paralel të çështjes së pazgjidhur të shqiptarëve të Luginës, e ka bërë Serbinë që më lehtë të ndërtojë strategjinë e veprimit politik dhe diplomatik – si me Prishtinën ashtu me Brukselin.
Në raport me statusin e pakicës serbe dhe shqiptarëve të Luginës po ndërtohen dy realitete të dallueshme, si nga përmbajtja ashtu pozicioni politiko-juridik. Pra, thënë me një fjalë, pakica serbe po vishet me të drejta, ndërsa pakica shqiptare çdo ditë e më shumë po zhvishet nga ato pak të drejta që iu fituan pas përfundimit të luftës së armatosur.
Po qe se Prishtina zyrtare ka objektiv që pas procesit të integrimit të pakicës serbe në Kosovë të lirohet nga presionet e brendshme dhe ato të jashtme, që pastaj t’i kthej sytë nga Lugina, do të duhej pasur parasysh se do të mund të përballet me faktorë të tjerë me ndikim politikë: me Serbinë që bën koncesione jo sa nga presioni i Prishtinës zyrtare e as i shqiptarëve në Luginë, por nga presioni i jashtëm ndërkombëtar i cili nuk krijohet aq lehtë, sepse për vitet të tëra marrja me Serbinë ka qenë punë e lodhshme politike dhe diplomatike. Kjo do të mund t’i marrë kohë Prishtinës zyrtare për ta krijuar një ekuilibër të të drejtave të pakicës shqiptare me atë serbe, që këto dy komunitete të shërbejnë si urë lidhëse e raporteve Prishtinë-Beograd dhe më gjerë. Në të kundërtën, zhvillimet e ardhshme mbeten të përcillen me kujdes dhe të menaxhohen mirë politikisht.