Eurodeputeti gjerman Manfred Weber u zgjodh të enjten kandidati kryesor i së djathtës europiane për zgjedhjet në Bashkimin Europian, që do të zhvillohen në maj të vitit 2019, duke e bërë kështu ndër të preferuarit për të zënë vendin e Jean-Claude Juncker, aktualisht kreu i Komisionit Evropian.
Sipas Dewtche Welle Partia Popullore Europiane votoi sot në Helsinki, europarlamentarin gjerman të Partisë Kristiansociale, Manfred Weber, si udhëheqësin kryesor të fushatës për zgjedhjet europiane, i cili konkurroi në garë përballë ish-kryeministrit finlandez Alexander Stubb.
Weber, kandidati në garën e konservatorëve ishte mbështetur më herët dhe nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila e cilësoi atë një favorit për të udhëhequr Komisionin Europian, për të marrë më pas nën drejtim ekzekutivin që merret me hartimin dhe zbatimin e ligjeve të BE-së.
“Faleminderit shumë për mbështetjen tuaj, le të fillojmë një kapitull të ri për Evropën së bashku”, shkroi Manfred në një postim në Twitter, pas rezultateve të votimit, përcjell Shqiptarja.
Weber vjen nga Bavaria, rajon tradicionalisht konservator i Gjermanisë dhe kryeson grupin më të madh të Parlamentit Europian.
Mësohet se në përfundim të votimit, kandidati 46-vjeçar bavarez mori 79,2% të votave të të deleguarve të Partisë Popullore Europiane (PPE). Nga ana tjetër, kundërshtari i tij finlandez, Alexander Stubb, 50 vjeç, mori vetëm 20%, sipas të njëjtit burim.
I njohur për pikëpamjet e tij proeuropiane, Manfred Weber është pak i njohur jashtë qarqeve politike të Gjermanisë dhe të BE-së.