Telegrafi

Zgjerohet IPKO

IPKO tashmë ka hapur dyqanin e specializuar të saj në Therandë ndërsa deri në fund të muajit do të hapen dyqanet edhe në Rahovec dhe Fushë Kosovë.

Bazuar në një njoftim zyrtar të kompanisë, shtimi i numrit të dyqaneve dhe pikave shitëse të IPKO nëpër Kosovë përputhet me faktin se IPKO tashmë disa muaj mbulon me rrjet mbi 96 për qind të popullatës së Kosovës si dhe me kërkesat e klientëve për produktet dhe shërbimet e saj nëpër tërë vendin.

“ Zgjerimi i kompanisë nëpër Kosovë ka efekt shtesë pozitiv në ekonominë e vendit, përmes hapjes së vendeve të reja të punës”.

Ndryshe gjatë muajit shkurt të këtij viti, IPKO ka hapur dyqanin qendror dhe qendrën e biznesit në sheshin Nëna Terezë në Prishtinë, bashkë me dyqanin në Dardanë. Me hapjen e tri dyqaneve të fundit, numri i dyqaneve të specializuara të IPKO në tërë territorin e Kosovës do të arrijë në 14.

Përveç dyqaneve kompania IPKO posedon edhe rrjetin më të gjerë në vend të pikave të autorizuara të shitjes numri i të cilëve ka arritur në 2.600. Duke i konsideruar pikat shitëse si dhe distributorët e autorizuar si një element i rëndësishëm i krijimit të afërsisë me konsumatorët, IPKO tashmë ka filluar edhe të investojë në pamjen dhe të rris spektrin e shërbimeve të tyre. /Telegrafi/