Site icon Telegrafi

Zgjerimi nuk përfundon deri në fund të vitit

Zgjerimi i rrugës nacionale N9, Prishtinë – Pejë, segmenti Arllat – Kijevë, filloi në vitin 2013 dhe është duke u punuar ende. Në Ministrinë e Infrastrukturës kanë thënë se punimet përfundimtare do të kryhen në fund të vitit ngase, sipas tyre, janë paraqitur probleme pronësore dhe probleme me kompani të kontraktuara. Së fundmi për ndërtimin e një ure është shpallur fitues kompania “Rukolli”, nga Skenderaj

Afati kohor për kryerjen e punimeve në zgjerimin e rrugës nacionale N9, Prishtinë – Pejë, segmenti Arllat – Kijevë, u ka kaluar të gjitha kompanive. Makineritë e kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës do të shihen në atë pjesë deri në fund të këtij viti.

Ministrisë i dolën probleme në këtë projekt të natyrës pronësore, ngase fillimisht nisi punimet e pastaj filloi me shpronësimin e disa pronave nga kaloi traseja.

Në vitin 2013 Ministria ka kontraktuar segmentin për zgjerim, i cili është i kontraktuar në tri pjesë në gjatësi prej 8.75 km, si dhe ndërtimin e urës në Llozicë. Vlera totale e kontratave ka qenë 16 milionë e 764 euro, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Pjesa e parë dhe e tretë nuk kanë përfunduar akoma. Zgjerimi i rrugës ka filluar që në qershor të vitit 2013 dhe së fundmi është lidhur edhe një kontratë për ndërtimin e një ure.

Për ndërtimin e urës ishte kontraktuar kompania “Arda Rei”, por Ministria ia ka shkëputur kontratën për neglizhencë të punimeve.

Kompanisë “Arda Rei” i ishte dhënë kontrata më datë 29 tetor 2013, e cila peshon 728 mijë e 230 euro, ndërkaq ura është dashur të kryhet sipas planit dinamik për 36 javë pune.

Para pak ditësh tenderin për “Ndërtimin e urës në rrugën Nacionale N9, lokacioni Lozicë” e ka fituar kompania nga Skenderaj “R & Rukolli” me pronar Rrustem Rukollin.

Tenderi peshon 388 mijë e 693 euro dhe në garë kanë qenë tetë kompani. Sipas njoftimit për kontratë, plani dinamik i punëve parashihet të jetë duke filluar nga data 5 qershor për ta përfunduar më datën 10 tetor 2016. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version