Pas marrëveshjes së fundit në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Beogradit iu hapën dyert për statusin e kandidatit në BE, ndërsa Kosovës (me pranimin e fusnotës, ku përmendet Rezoluta 1244 dhe mendimi i GJND-së për pavarësinë e Kosovës) iu krijua mundësuar pjesëmarrja e saj nëpër forumet dhe organizatat e ndryshme rajonale.
Përkundër kësaj dhe garancioneve ndërkombëtare se Beogradi më në fund do të fillojë të respektoj dhe zbatoj të gjitha marrëveshjet e arritura, Serbia me çdo kusht po tenton të sfidojë Kosovën, por edhe Bashkësinë ndërkombëtare, duke organizuar zgjedhje lokale dhe parlamentare edhe nëpër vendbanimet serbe në Kosovë, më 6 maj të vitit 2012.
Kjo lojë e dyfishtë politike dhe tejet e rrezikshme e Beogradit, si për Prishtinën, por edhe për Bashkësinë ndërkombëtare, ka qitur në shesh sfidën e radhës që ka ngritur Beogradi e që tregon se politika e tyre e “thikës pas shpine” po vazhdon me të njëjtin avaz dhe nuk po ndalet edhe përkundër “karotës” që kishte marrë së fundmi nga BE-ja.
Pas këtij kurthi destabilizues politik të Beogradit, si ndaj Prishtinës dhe Bashkësisë ndërkombëtare, përfundimisht është vërtetuar se ky shtet nuk i plotëson assesi standardet demokratike të një vendi normal të kësaj pjese të Evropës. Me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës kanë rënë të gjitha maskat serbe të një konstruktiviteti politik dhe qasjes paqësore e demokratike të proceseve politike në rajon.
Me këtë vendim, Beogradi hapur ka shpallur agresion ndaj një vendi fqinj të njohur nga 88 shtete të botës. Jo vetëm kaq: ky vendim paraqet një shkelje flagrante të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare të arritura për Kosovën që nga viti 1999 dhe deri më tani.
Pas kësaj, tashmë topi është në anën e Prishtinës dhe Bashkësisë ndërkombëtare, për faktin se këto zgjedhje do të prodhojnë pasoja negative, si për Kosovën, por edhe për BE-në.
Në rast të mos tërheqjes së Beogradit nga mbajtja e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë, institucionet e vendit urgjentisht, pa asnjë hezitim, duhet të kërkojnë nga Bashkësia ndërkombëtare ndalim e tyre me të gjitha mjetet ligjore dhe kushtetuese. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të kenë plan e veprim konkret ndaj kësaj ndërhyrjeje kushtetuese të Serbisë në Kosovë.
Në rast të mungesës së kësaj, atëherë duhet të shërbej shpjegimi i ish-presidentit kroat Stipe Mesiq se si duhet zgjidhur këto konteste – përkatësisht me pakicën serbe në Kosovë. Gjatë një vizite që kishte ditë më parë në Kosovë, ai kishte thënë se Kroacia kishte aplikuar dy metoda të zgjidhjes së kontestit me pakicën serbe: asaj demokratike-integruese dhe asaj më pak demokratike – me përdorim të forcës policore dhe ushtarake.
Institucionet e këtij vendi duhet të fillojnë seriozisht të zbatojnë ligjin në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Tashmë janë harxhuar të gjitha metodat demokratike të reagimit ndaj një agresioni kushtetues të një vendi fqinj. Ndaj një vendimi jodemokratik duhet të zhvillohet një politikë reciproke në të gjitha aspektet.
Politika destabilizuese e Beogradit në Kosovë dhe rajon duhet të ndalet që kupa e vlimit të mos shkoj më lartë, sepse këto valë përvëluese, në rast të ndonjë destabilizimi eventual, nuk do ta përfshijnë vetëm Kosovën, por rajonin dhe më gjerë.