Pas sagës institucionale të para pak kohe, pas rënies së qeverisë dhe shpërndarjes së parlamentit, Kosova iu drejtua edhe njëherë zgjedhjeve nacionale të caktuara për 12 Dhjetor. Këto do të jenë zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur. Këto zgjedhje, nga optimistët e ndryshëm, pritet të sjellin befasi elektorale, kurse nga pesimistët, ato shikohen sikur edhe zgjedhjet paraprake – asgjë fundamentale nuk do të ndryshojë.
Së pari, këto zgjedhje po mbahen në njëfarë amullie kohore. Fillimisht u tha se është e pamundur për KQZ-në të garantojë suksesin dhe korrektësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kurse tani po e njëjta KQZ me mburrje flet për angazhimin e saj në organizimin e zgjedhjeve me sukses dhe korrektësi. Ndoshta, KQZ bënte shaka në fillim e tash e ka përnjëmend. Ose, ndoshta fillimisht e kishte përnjëmend e tash thjesht po bënë shaka me këto deklarata. Kush e di!
Së dyti, listat e publikuara nga partitë që do të garojnë në këto zgjedhje – të vjetra e të reja – nuk befasuan elektoratin e Kosovës siç dikush pretendonte. Tek partitë e vjetra dominuan emrat që tani më të gjithë i kemi mësuar dhe i njohim. Tek partitë e reja, veçanërisht tek Vetëvendosja dhe FER, risitë nuk munguan, por nuk ishin befasuese, siç pritej e siç proklamohej. Dikush pretendonte se ka në ekipin e vet njëqind njerëz të kalibrit të njohur ndërkombëtarisht, e ne prisnim që në listën e tyre zgjedhore prej 110 emrash do të shihnim të paktën gjysmën ose të gjithë këtë ekip prej 100 njerëzve të kalibrit kaq të lartë. E pas publikimit të listës në fjalë, ekipi i 100 vetave të kalibrit të njohur ndërkombëtar mbeti enigmë, e bile lista nuk pati as 100 emra në përgjithësi. Kjo na rikujton atë premtimin e famshëm të kryeministrit Thaçi se Kosova do të njihej nga 100 shtete menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. E ka më se dy vite që po presim për arritjen e 100 njohjeve e si duket kështu duhet pritur për të parë 100 emrat e partisë sonë të re. Mirëpo, kualiteti nuk matet domosdoshmërisht me kuantitet, andaj shpresat mbesin. Njëkohësisht, edhe hyrja në politikë e zërit protestues të qytetarit të Kosovës të lë për të shpresuar për një qytetari aktive, por brenda kornizave të rendit dhe ligjit që mbretëron këtu, pajtohemi apo jo me të.
Së treti, siç shihet nga paraqitjet publike të garuesve për të marrë timonin e qeverisjes së Kosovës për katër vitet e ardhshme, retorika nuk ka ndryshuar. Fjala pavarësi është zëvendësuar me fjalën zhvillim apo integrim (në BE, kuptohet). Fatkeqësisht, të pakët janë ata që e kuptojnë sa duhet termin në fjalë, sepse programet e tyre kanë mbetur të njëjta si më parë. Këto dallojnë, normalisht, partitë e reja, programi i të cilave po publikohet dita ditës apo edhe është publikuar. Tek programet e partive të reja vërehet një entuziazëm më i madh për t’i dalë zot Kosovës dhe popullit të saj. Mirëpo, edhe terminologjia e tyre është aq populiste sa edhe e partive të vjetra.
Së katërti, këto zgjedhje do të jenë sprovë interesante për të gjitha institucionet e Kosovës por edhe popullin e saj. Mbi të gjitha, këto zgjedhje do të përçojnë mesazhe të rëndësishme në lidhje me funksionimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor në Kosovë. Andaj, barra kryesore për mbarëvajtjen e tyre, pos institucioneve, u bie edhe partive që po garojnë. Partitë garuese duhen të vihen në ballë të krijimit të një fryme të lirë zgjedhore ku secili individ do të ketë mundësi të vendosë për votën e vet dhe me të për fatin e vet e të Kosovës për katër vitet e ardhshme. Të votosh në këto zgjedhje është më shumë se e drejtë. Është një mundësi për të definuar, për here të parë, drejtimin e vendit tone të pavarur. Tanimë nuk ka UNMIK për t’ia hedhur përgjegjësinë për dështimet eventuale të qeverisë së re. Vota e 12 Dhjetorit është vota e parë për shtetin e Kosovës, respektivisht për institucionet qendrore të tij. Prandaj, dalja në zgjedhje duhet të bëhet për hire të Kosovës dhe të së ardhmes së saj, e jo për hire të ndonjë individi apo partie. Kosova duhet të qëndrojë mbi të gjitha partitë e individët, sikurse që e ardhmja e saj duhet të konsiderohet si e ardhme e vet fëmijëve tanë.
Së pesti, duket se shumë shpejtë e lehtazi Kosova shkon drejtë zgjedhjeve. Zgjedhjet po bëhen shpejtë e lehtë. Mirëpo, ajo që nuk po ndodhë pa marrë parasysh sa herë mbajtëm zgjedhje deri më tani, janë zgjidhjet për problemet e kosovarëve. Ne ende nuk kemi rrymë gjatë gjithë kohës, ende nuk kemi ujë të mjaftueshëm, ende nuk kemi vende punë sa duhet, ende jemi të izoluar nga e gjithë Evropa, ende nuk kemi shëndetësi e as arsimim kualitativ, ende kemi varfëri të skajshme, etj. Lista e problemeve vazhdon sa të duash, por zgjidhjet mungojnë. Prandaj, fokusi primar i garuesve në këto zgjedhje duhet të jenë zgjidhjet e jo problemet. Lehtë është të identifikohen problemet, veçanërisht në një vend të vogël si Kosova, por shumë vështirë të përpilohen zgjidhjet dhe të implementohen ato në praktikë.
Në fund, nuk thuhet kot se shpresa vdes e fundit. Andaj, asaj po i kthehemi – po shpresojmë se këto zgjedhje do të sjellin në Kosovë zgjidhje për herë të parë. Deri më tani, shanset duken të vogla, por mundësia ekziston. Mundësia për të ecur para e me hapa të sigurt mund të kapet me 12 Dhjetor. Mirëpo, populli i Kosovës nuk duhet të votojë për hire të atij ose këtij, për shkak të axhës ose dajës, për hatër të familjes ose fqinjit, për inati të atij apo të këtij. Populli duhet të votojë për interesin e vet, të familjes së vet. E nëse secili voton, me mendje të hapur, për interesin e vet e të familjes së vet, atëherë ai ka votuar për të mirën e përbashkët, sepse nuk ka të tillë që vetit e familjes ia donë të keqën, nuk ka të tillë që duan ende të shohin vetën e familjen në terr, pa ujë, pa punë, pa shkollë, pa spital. Interesi i votuesit dhe familjes së tij nuk shërbehet nga vota e tij për hatër, inat, apo dëshirë të dikujt tjetër. Vota e kosovarit duhet të jepet për hatër, interes, dhe dëshirë të tij e familjes së tij, dhe vetëm si e tillë do të ndikojë në sjelljen e zgjidhjeve të duhura për problemet e Kosovës. Të votosh në interesin tënd e të familjes tënde do të thotë të përzgjedhësh me kujdes kandidatin me të çmuar, më të merituar, dhe më të dëshmuar nga listat e garuesve. Vota për atë kandidat do të jetë votë për ty dhe interesuat tuaja, kurse vota për kandidatin që e votoni për hatër, inat, apo dëshirë të dikujt tjetër (apo qoftë edhe për një favor të menjëhershëm), është votë për interesat e dikujt tjetër, e jo tuajat.
Kosova ka nevojë për votën tënde për hirë tëndin dhe të familjes tënde. Kosova ka nevojë për votën tënde për një të ardhme më të mirë për ty dhe familjen tënde. Kosovës i duhesh t’i i përkushtuar, i vetëdijshëm, i vendosur. Ti e ndryshon Kosovën, e Kosova të falë ty një vend që me krenari do ta quash shtëpi, atdhe, shtet.
(Autori është duke doktoruar në Shkenca Politike në Dalhousie University – Halifax, ku shërben edhe si studiues në Qendrën për Studime të Politikës së Jashtme dhe ligjëron në Fakultetin e Ekonomisë. Ka magjistruar në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dalhousie University, dhe po ashtu ka magjistruar në Zhvillim Ndërkombëtar dhe Administratë Publike në Harvard University)