Sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi, ku të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 542.468 qytetarë.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 20:00.
Sipas të dhënave të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CeMI), deri në orën 11:00 kanë votuar 16.3 për qind e votuesve të regjistruar, raporton mediumi malazez Vijesti, transmeton Telegrafi.
Në garë marrin pjesë 15 lista zgjedhore të koalicioneve dhe partive, të konfirmuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Mal të Zi.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, pjesë e lëvizjes “Evropa Tani” ka ushtruar të drejtën e votës në Podgoricë, raporton Pobjeda.
Në zgjedhjet e sotme lëvizja “Evropa Tani” ka hyrë për herë të parë në garë, e cila sipas hulumtimeve ka përkrahjen më të madhe të qytetarëve.
E dyta për nga numri i përkrahësve është “Partia Demokratike e Socialistave” (PDS).