Site icon Telegrafi

Zgjedhjet parlamentare, KQZ nis sot me certifikimin e 11 subjekteve politike dhe mbi 600 kandidatëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të filloj sot me certifikimin e subjekteve politike për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’ju konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025”, ka thënë Elezi.

Ai ka bërë të ditur se në mbledhjen e sotme të KQZ-së në rend dite është certifikimi i 11 subjekteve politike me më shumë se 600 kandidatë.

“Gjatë periudhës për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës (1 shtator – 11 dhjetor 2024, 23:59) kanë aplikuar: 28 subjekte politike, prej tyre: 20 parti politike; 5 koalicione; 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur”, tha Elezi.

Ai theksoi se numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1,280 kandidatë. /Telegrafi/

Exit mobile version