Ishin këta të gjithë pjesëmarrës në zgjedhjet që i caktoi presidenti i atëhershëm i Kosovës, Ibrahim Rugova. Shpallja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale u bë me 23 dhjetor të 1997-ës, ndërsa ato u mbajtën me 22 mars të vitit 1998.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zgjedhjet u mbajtën në 29 zona – njësi zgjedhore, për tu zgjedhur presidenti dhe 130 deputetë, 100 prej të cilëve dolën në zgjedhje të drejtpërdrejta, kurse 30 vendet tjera u shpërndan sipas proporcionit.
Kryetar i Komisionit Qendror të zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të 22 Marsit 1998, ishte caktuar gjykatësi Tadej Rodiqi.
Më 19 mars 1998, Ibrahim Rugova i bëri apel popullit të dalin masovikisht në zgjedhjet parlamentare e presidenciale më 22 mars.
Në apelin e Ibrahim Rugovës atëherë thuhej se ato zgjedhje ishin shumë të rëndësishme dhe historike.
“Me këto zgjedhje mbahet dhe forcohet rendi demokratik në Kosovë, duke u afirmuar vota e lirë e qytetarëve. Me këto zgjedhje forcohet legjitimiteti i udhëheqjes dhe institucioneve të Kosovës, krijohen mundësi më të mëdha të ndërtimit të shoqërisë dhe të shtetit civil. Me këto zgjedhje forcohen më shumë lidhjet e Kosovës me miqtë e saj të shumtë në botë, sidomos me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian”, patë thënë ish presidenti Rugova.
Më 19 mars edhe Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një kumtese, fton anëtarësinë e vet dhe mbarë zgjedhësit në Republikën e Kosovës, që të dalin në votimet e 22 marsit për zgjedhjen e kryetarit të Republikës së Kosovës dhe të deputetëve për Kuvendin republikan.
Ndërkaq, Partia Parlamentare e Kosovës, së bashku me UNIKOMB-in, PSDK-në (krahu i Luljeta Pulës – Beqirit), Partia Liberale Shqiptare, Këshilli Koordinues i degëve të LDK-së në Prishtinë, Unioni i Pavarur i Studentëve të UP-së, Shoqata e të Burgosurve Politikë, Forumi i Intelektualëve Shqiptarë etj., vendosën që t´i bojkotojnë këto zgjedhje. /Kosovapress/