Kriza politike në Maqedoni nuk mund të zgjidhet me zgjedhje të reja parlamentare, siç insiston OBRM-PDUKM-ja, por vetëm duke respektuar shumicën e re parlamentare e dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit të kaluar, thonë njohës të çështjeve politike, shkruan REL.
OBRM-PDUKM e Gruevskit ka ripërsëritur kërkesën për zgjedhje të reja në të cilat sipas saj “qytetarët duhet të deklarohen nëse janë ose jo për platformën e partive shqiptare të cilën e ka pranuar LSDM-ja”.
Partia Social-Demokrate thotë se “zgjidhja e krizës qëndron në dhënien e mandatit liderit të saj Zoran Zaev i cili ka siguruar shumicën parlamentare për formimin e qeverisë”.
Mitko Gaxhovski ligjërues i shkencave politike, thotë se është i pakuptimtë insistimi i OBRM-PDUKM-së që të shkohet sërish në zgjedhje përderisa zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit të kaluar u pranuan nga të gjitha partitë politike të cilat u përfshin në to.
Ai thotë se “duke imponuar nevojën e zgjedhjeve, VMRO DPMNE dëshiron ta faktorizojë veten si faktor i rëndësishëm politik pa të cilin nuk mund të ndërmerret asnjë hap që çon kah zgjidhja e krizës politike”.
Ndërkohë, Arsim Sinani, drejtues i Institutit për Studime Evropiane, konsideron se Maqedonia ka humbur shumë me politikanë që kanë imponuar problemet ndëretnike duke e mbajtur vendin larg procesit të integrimit në strukturat euroatlantike për të fshehur aktivitetet kriminale.
Diplomatët e vendeve perëndimore kanë intensifikuar thirrjet që presidenti Ivanov të ndajë mandatin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, me këtë dhe konsolidimin e institucioneve për t’i hapur rrugë procesit të reformave si kusht për anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike.