Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri tani ka pranuar vetëm një aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Ndërkohë, për subjektet politike sot është afati i fundit për të aplikuar në KQZ, të drejtë aplikimi kanë pasur që nga data 9 prill.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi pohoi për Telegrafin, se vetëm Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar për certifikim për zgjedhjet në veri. Ai, tha që aplikimet do t’i presin edhe gjatë ditës së sotme.
“Sot është afati i fundit për subjektet politike, që të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna. Aplikimet do t’i presim deri në orën 24:00. Deri më tani kemi pranuar vetëm një aplikim. Bëhet fjalë për Partinë Demokratike të Kosovës, e cila ka paraqitur aplikimin për kryetar të këtyre komunave”, ka thënë Valmir Elezi në një deklaratë të dhënë për Telegrafin.
Ndërkohë, nga partitë shqiptare, AAK është deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Nëpërmjet një komunikatë të bërë, AAK ka theksuar se votuesit e saj, do të të jenë krejtësisht të lirë të mbështesin kandidatët më të mirë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike e partiake.
Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë të ditur se do të marrin pjesë në zgjedhjet në komunat veriore. Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, ditë më parë ka deklaruar për Telegrafin, se së shpejti do t’i bëjnë zyrtare kandidaturat e tyre.
Ndërkaq, nga Vetëvendosje ende nuk është dhënë ndonjë përgjigje, nëse do t’i hyjnë garës në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.
Kujtojmë se, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka marrë vendim që të shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunat, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje të parevokueshme.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunat veriore do të mbahen më 19 maj./Telegrafi/