Ne prag të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe Biden është duke udhëhequr sipas sondazheve të realizuara nga mediat më të mëdha botërore. Analistët politikë, besojnë se Biden do dalë triumfues, por nuk i përjashtohen, siç thonë ata, edhe befasitë.
Për pak orë, qytetarët amerikanë do vendosin se kush do ulet për katër vjetët e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë.
Eksperti Gjerman, Bodo Weber, thekson se do ishte lajm i tmerrshëm për botën në rast se Donald Trump i fiton edhe njëherë zgjedhjet presidenciale.
“Zgjedhja e Trump-it edhe për një mandat do të ishte e tmerrshme për botën. Qasja e tij egoiste, me politikën “Amerika e para”, e ka vënë në pikëpyetje rendin liberal botëror të krijuar pas luftës së dytë botërore. Në rast të rizgjedhjes, do të ishte e vështirë të rikuperoheshin marrëdhëniet transatlantike pas 8 viteve të udhëheqjes”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bodo Weber.
Ndërkaq, analisti politik Shkodran Ramadani, thotë se sondazhet, të cilat favorizojnë demokratik Joe Biden, mund të jenë të gabuara.
“Parashikimet e deritanishme favorizojnë bindshëm Joe Biden, mirëpo nga e kaluara kemi mësuar se sondazhet mund të gabojnë ndonjëherë pasi në SHBA mediat kryesore flasin me shumë përçmim për Trumpin dhe jo mund të ndikojë në sinqeritetin e të anketuarve që mund të deklarojnë se mbështesin Bidenin e në fakt mbështesin Trumpin”, deklaroi analisti Shkodran Ramadani.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA po përcillen me vëmendje edhe nga qytetarët në Kosovë, të cilët nuk e fshehin simpatinë që kanë për demokratin Biden.
“Mendoj se Joe Biden do të bjer stabilitet në Kosovë dhe nuk do të ketë përzierje në punët e brendshme ashtu siç bërë Grenell”, deklaroi qytetari Rrahman Gashi.
“Për momentin më mirë është që të fitojnë demokratët pasi ata e kanë një projekt shumë të avancuar për ne shqiptarët”, deklaroi Avdi Limani.
Sipas sondazheve në SHBA, Joe Biden është duke udhëhequr ndaj kundërshtarit të tij republikan Donald Trump. /RTV Dukagjini/Telegrafi/