Site icon Telegrafi

Zgjedhjet në SHBA, fitore të rëndësishme për Trump dhe Clinton

Në 5 shtete amerikane u zhvilluan zgjedhjet paraprake për kandidatët që shpresojnë të përballen në nëntor për Shtëpinë e Bardhë.

Hillary Clinton ka zgjeruar avantazhin e saj duke fituar në Ohajo, Florida, Ilinois dhe në Karolinën e Veriut.

Ndërsa, kandidati republikan Donald Trump fitoi në shtetin kyç të Floridës, por humbi në Ohajo.

Trump fitoi gjithashtu edhe në Illinois dhe Karolinën e Veriut. Ndërkohë duket se ka përfunduar ëndrra për Shtëpinë e Bardhë për Marco Rubio pas humbjes në Florida. Ndërkohë, John Kasich mori një fitore historike në Ohajo, ku është guvernator.

“Kjo është një mbrëmje e madhe; kjo është një mbrëmje e mahnitshme”, tha Trump menjëherë pas daljes së rezultateve në Florida.

Në anën tjetër, Clinton tha se tashmë duket se është më afër kandidimit për Shtëpinë e Bardhë.

“Tashmë jemi më pranë sigurimit të emërimit nga Partia Demokratike”, tha Clinton në një fjalim në Florida.

Shtetet e Floridës dhe Ohajos, me respektivisht 99 dhe 66 delegatë, janë shumë të rëndësishëm, pasi në këto shtete nuk ka ndarje të delegatëve sepse fituesi i merr që të gjithë.

Miliarderi nga Nju Jorku është i favorizuari për të marrë emërimin republikan, por ka hasur në kundërshtimin e fortë të udhëheqjes së Partisë Republikane, si dhe padyshim atë të rivalëve të krahut tjetër të spektrit politik.

Megjithatë, ai shënoi një triumf të herët në këtë ditë votimesh, pasi mori 9 delegatët që vijnë nga ishujt veriorë Mariana, ku fitoi 73% të votave. Sondazhet i japin gjithashtu fitore bindëse Trumpit në 5 shtetet ku votohet, megjithatë vendimi final jepet nga kutitë e votimit. /TCH/

Exit mobile version