Site icon Telegrafi

Zgjedhjet në Serbi, serbët nga veriu i Mitrovicës nisen me autobusë për të votuar

Në Serbi sot mbahen zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale.Janë rreth 6 milionë e gjysmë të serbëve që do të kenë mundësi të votojnë.

Në këto zgjedhje të Serbisë, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit garojnë me dy lista dhe pretendojnë të kenë tre deri në katër deputetë.

Qytetarët serbë përmes transportit të organizuar janë nisur sot në mëngjes nga veriu i Mitrovicës për në Rashkë, ku do të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të cilat po mbahen në Serbi, raporton KP.

Shumë prej tyre janë nisur nga stacioni i autobusëve në veri të Mitrovicës, mirëpo për t’iu shmangur tollovisë, ka edhe lokacione tjera prej nga kanë udhëtuar, siç janë spitali i përgjithshëm në veri, pastaj ndërmarrja Trepça në Zveçan etj.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që serbët që jetojnë në vendin tonë të votojnë sikurse viteve të mëhershme, duke thënë se duan ta zbatojnë Kushtetutën e Kosovës. Serbëve iu është dhënë mundësia të votojnë në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, gjë që nuk është pranuar nga Beogradi, i cili ka caktuar dy qendra të votimit për serbët e Kosovës, atë në Rashkë dhe në qytetin e Bujanocit./Telegrafi/

Exit mobile version