Site icon Telegrafi

Zgjedhjet në Serbi dhe votimi i serbëve nga Kosova, KFOR: Jemi të gatshëm të ofrojmë siguri dhe liri të lëvizjes

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka shprehur përkushtimin që të ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjitha komunitetet në Kosovë si dhe lirinë e lëvizjes, gjatë periudhës zgjedhore.

Ky njoftim i KFOR-it vjen në prag të zgjedhjeve që do të mbahen në Serbi, e ku serbët e Kosovës do t’iu drejtohen kutive të votimit atje, pasi që Kosova s’ka lejuar organizimin e tyre brenda territorit të vet.

Lexo po ashtu "Mobilizim" i serbëve nga Kosova në mbështetje të Vuçiqit

“KFOR-i është i përkushtuar të marrë të gjitha masat e duhura në mënyrë që të vazhdojë të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, gjatë periudhës zgjedhore; në përputhje me mandatin e tij bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 të vitit 1999; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi mbahen të dielën, më 17 dhjetor, ndërkaq shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me dy lista, ajo e Shaip Kamberit dhe Shqiprim Arifit.

Sipas vendimit të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi, më 17 dhjetor, serbët nga Kosova do të mund ta ushtrojnë të drejtën e votës në qytetet kufitare të Serbisë: Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

Ata votuan në të njëjtën mënyrë edhe në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit, 2022. /Telegrafi/

Exit mobile version