Shinzo Abe, Kryeministër i Japonisë ka shpallur fitoren në zgjedhjet për dhomën e lartë të Parlamentit.
Ai tha se suksesi i tij bazohet tek reformat ekonomike, kurse analistët mendojnë se këto zgjedhje i rrisin atij fuqinë për të ndryshuar nenin 9 të Kushtetutës së vendit, i cili ndalon Japoninë të marrë pjesë në luftërat jashtë vendit.
Klauzola pacifiste u vendos pas humbjes së Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.
Kryeministri japonez Shinzo Abe ka deklaruar fitoren në zgjedhjet për dhomën e lartë të Parlamentit, duke thënë se votuesit mbështetën politikat e tij ekonomike.
Anketat sugjerojnë se koalicioni qeverisës do të fitojë shumicën e 121 vendeve, duke rritur shumicën e tij.
Nëse ai siguron një shumicë prej dy të tretash në garën për dhomën e ulët, ai fiton të drejtën për të hedhur në votim ndryshimet kushtetuese, duke lehtësuar kufizimet në veprime ushtarake.
Por Abe tha se është shumë herët për të folur për këtë çështje.
Sipas mediave, Partia e zotit Abe Liberal Demokratike (LDP) dhe partneri i saj i vogël i koalicionit, Partia Komeito, do të marrin 67 nga 76 vendet në dispozicion.
Koalicioni tashmë kontrollon 77 vende të gjysmës tjetër të dhomës së lartë.
Në qendër të fushatës së Abe ishte ekonomia e vendit, por nënteksti i saj sipas analistëve është fuqia për të ndryshuar Kushtetutën.
Zoti Abe kërkon të ndryshojë nenin 9 të Kushtetutës, të ashtuquajturën klauzolë pacifizmi, e cila e ndalon Japoninë të marrë pjesë në luftërat jashtë vendit.
Kjo klauzolë u imponua nga SHBA, pasi Japonia ishte në anën e humbur në Luftën e Dytë Botërore, 70 vjet më parë.
Një pjese e konsiderueshme në Japoni e shohin të padrejtë kufizimin, pas rritjes së Kinës dhe kërcënimeve në ishujt e diskutueshëm në rajon.
Këto ishin zgjedhjet e para në vend që prej uljes së moshës për votuesit nga 20 në 18 vjeç.