Site icon Telegrafi

Zgjedhjet lokale, nga diaspora kanë arritur 5 mijë e 649 pako me fletëvotime

Foto: Arkiv

Ka përfunduar periudha e votimit përmes postës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se kanë pranuar 5 mijë e 649 pako të supozuara me fletëvotime.

“Votimi jashtë vendit ka nisur më 15 shtator u mbyllë më 15 tetor. Janë pranuar 5,649 pako të supozuara me fletëvotime, të gjitha janë tërhequr nga posta zyrtare, qendrat tranzitore dhe postat e tjera të shpejta”, ka thënë Ahmetaj, transmeton Telegrafi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka përpiluar listën me votuesve jashtë Kosovës, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm për votim jashtë Kosovës dhe këta emra (15,532) i ka larguar nga lista votuese që shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është: 15 mijë e 532 votues. Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës kishte filluar më 10 korrik dhe është përmbyllur më 18 gusht 2021.

Fletëvotimet duhet të pranoheshin nga KQZ-ja më së largu deri më 15 tetor.

Zgjedhjet lokale do të mbahen ditën e diel, më 17 tetor. /Telegrafi/

Exit mobile version