LSDM-ja në pushtet shpalli fitore në zgjedhjet lokale, është titulli nën të cilin Radio Evropa e Lirë raporton për zgjedhjet e djeshme në Maqedoni, të cilat Reuters i quajti si test për orientimin properëndimor të vendit.
“Kështu duket Maqedonia kur votimi është i lirë, i qetë dhe pa presione”, e citon Evropa e Lirë deklaratën e kryeministrit, Zoran Zaev pas shpalljes së fitores.
“LSDM-ja në pushtet në Maqedoni shpalli fitore në zgjedhjet lokale, duke e sinjalizuar në këtë mënyrë mbështetjen për qeverinë e re e cila premtoi se do ta përshpejtojë anëtarësimin e vendit të vogël ballkanik në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, njofton Reuters.
“Fitorja siguroi mbështetjen e socialdemokratëve për zbatimin e politikës së tyre properëndimore, të cilën nacionalistët e vlerësojnë si të dëmshme për shtetin dhe qytetarët e saj”, precizon Reuters, duke përkujtuar se Zaev erdhi në pushtet para gjashtë muajsh, pas zgjedhjeve të dhjetorit me të cilat iu dha fund krizës dyvjeçare, e cila e rrëzoi pushtetin paraprak.
Kjo agjenci shkruan edhe se OBRM-PDUKM i vendosi nën pikëpyetje rregullshmërinë e zgjedhjeve, duke e cituar liderin e tyre Nikolla Gruevski, i cili tha se votimi i qytetarëve ka kaluar “në atmosferë jodemokratike dhe me kushte jokorrekte”.
“Associated Press” nënvizon se Gruevski ka paralajmëruar dorëheqjen nga funksioni i partisë. “Zgjedhjet nuk kanë përfunduar akoma, ndërsa përgjegjësia më e madhe për rezultatin qëndron tek lideri”, transmeton “Associated Press”.
“FYROM: Fitore e madhe e socialdemokratëve të Zaevit në zgjedhjet lokale”, shkruan gazeta greke “Naftemboriki”.
Gazeta thekson se zgjedhjet kanë kaluar pa probleme, duke publikuar se në zgjedhjet e djeshme LSDM-ja ka fituar në 37 komuna, ndërsa OBRM-PDUKM vetëm në tre komuna të vogla, duke përkujtuar se në zgjedhjet e kaluara OBRM-PDUKM e fitoi pushtetin në 57 vetëqeverisje lokale, ndërsa LSDM në katër.
“Fitorja e madhe e LSDM-së në raundin e parë, e cila befasoi shumë parashikues dhe e cila pritet të jetë akoma më e madhe pas raundit të dytë më 29 tetor, e përforcon pozitën e Zoran Zaevit… njëherësh duke e vazhduar procesin e ndryshimit politik në vend, e cila filloi me ndërmarrjen e pushtetit të LSDM-së pas zgjedhjeve të dhjetorit”, thekson gazeta greke.
“Partia e kryeministrit shpalli fitore në zgjedhjet lokale në Maqedoni”, është titulli nën të cilin agjencia kineze e lajmeve “Ksinhua” informoi për votimin e djeshëm.
“Njerëzit e thanë verdiktin e tyre”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev. “Ata dhanë mbështetje për politikat tona. Obligimi ynë tani është akoma më i madh dhe kurrfarë arsyetimi nuk është lejuar. Ne premtuam se do t’u shërbejmë qytetarëve dhe do t’i dëgjojmë urdhrat e tyre”, shkruan Ksinhua.
Agjencia shkruan se sipas disa ekspertëve të caktuar, fitorja bindëse, mund ta inkurajojë Zaevin të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare.