Site icon Telegrafi

Zgjedhjet lokale 2009 dhe dokumentet hapësinore

(Urbanizimi i qyteteve tona)

Ka filluar konkurrenca politike për zgjedhjet lokale të vitit 2009. Nga të gjitha subjektet politike premtohen shumë çështje jo reale për funksionimin e një pushteti komunal, posaçërisht në fushën e Planifikimit hapësinor, urbanizmit dhe arkitekturës. Ka shumë provokime nga gazetarët dhe moderatorët e ndryshëm me pyetje të ndryshme provokuese drejtuar kandidatëve për kryetar të komunave. Do të ishin befasi përgjigjet jo të sakta, shpesh konfuze dhe jo reale të pretendentëve (kandidatëve) nëse komunat do të kishin dokumentet hapësinore (PZhK,PZhU dhe PRrU) të zbatueshme ne të gjitha zonat e tyre.

Janë të kota ato premtime të konkurrentëve komunal të cilat nuk janë të bazuara në plane hapësinore dhe urbane të punuara në mënyrë profesionale, pasi duke premtuar “ad hoc” projekte të ndryshme e duke u bazuar në premtimet joreale vetëm krijohet huti dhe pakënaqësi e madhe të banorët. Për atë është kërkuar, nga ata që e njohin këtë lëm që së pari të përpilohen planet zhvillimore komunale e pastaj planet zhvillimore urbane e planet tjera rregulluese urbane ashtu si janë të definuar shumë mirë në Ligjin e Planifikimit Hapësinor me ndryshime, të cilat nuk i kemi zbuluar ne por ato janë rezultat i të gjitha shoqërive të civilizuara që për fat të keq nuk i kemi dhe nuk jemi duke i respektuar as sot në dekadën e parë të shekullit të ri XXI.

Kualiteti i jetës urbane në komunat tona është shumë i varfër, nga mënyra e zhvillimit të qyteteve tona mundësit për një jetë normale janë minimale. Ka shumë deformime urbane nëpër vendbanimet tona ato vërehen dhe preken nga të gjithë ne. Banori i thjeshtë i komunës i ka kërkesat realiste të bazuara në mundësit e komunave tona. Ai kërkon kushte normale të strehimit, për tu ripërtëri (lindur), arsimuar, punësuar dhe për të pushuar (rekreacioni, pushimi ditor, javor, vjetor etj.) dhe të ardhmen më të mirë të fëmijëve të tyre, aq ma interesant kur qyteti nuk investon mjete materiale për obligimet e banimit. Janë këto kërkesat minimale që duhet me ia plotësuar komuna banorit,si pjesë integrale e tij me të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë që pësojnë.

Shumë shpesh ankohen në mungesën parave në buxhetet komunale për planifikim hapësinor dhe urbanizëm,janë këto qëndrime aspak të qëndrueshme pasi thelbi i problemit është “siç po i thonë sot” menaxhimi (drejtimi) i komunës. Në esencë është mungesa e përgjegjësisë profesionale dhe asaj ligjore pasi për ndërtime të reja ka pasur baza ligjore para aprovimit të dokumenteve të planifikimit komunal. Kemi raste të shumta që mjetet buxhetore teprojnë (suficit) në fund të vitit duke mos ditur se çka të bëjnë me mjetet tepricë,kjo ka ngjarë edhe në nivelin qendror disa vite e problematika urbane është e margjinalizuar. Si në tërë botën e zhvilluar po ka para për këtë lami,a thua dikush po iu falë parat atyre,apo po presin “donacione” si veprojmë ne në vitet e pasluftës.

As që dihet rëndësia dhe domosdoja e ekzistimit të këtyre dokumenteve hapësinore, kryesore për funksionimin e një komune. Edhe atje ku janë punuar ato dokumente as qe ka pasur vullnet dhe interesim politik dhe profesional për t’i zbatuar ato, pasi nuk çmohet rëndësia e tyre nga veprimet e profesionistëve (urbanistëve). Ndryshe si të arsyetohen ndryshimet e planeve ende pa filluar zbatimi i tyre pas aprovimit, duke mos respektuar së paku procedurat aktuale ligjore.

Mendohet dhe për-folët se ato munden me qenë vetëm pengesë për vazhdimësinë e abuzimeve shumëvjeçare me hapësirën komunale çka nuk përket me të vërtetën. Kjo dukuri ka qenë prezentë gjithnjë e posaçërisht është shprehur në formën e saj ekstreme pas vitit 1999. Interesat e përbashkëta as që trajtohen,vetëm interesat i individuale janë të rëndësishme. Janë bërë keqpërdorime të mëdha me tokën ndërtimore, ka uzurpime të tokës shtetërore e të huaj, ka ndryshime dhe përvetësime të pa imagjinueshme të pronës kadastrale etj., të gjitha këto janë delikte të rënda të cilat në të ardhmen duhet trajtuar nga organet kompetente shtetërore.

Planet rregulluese sipas ligjeve aktuale duhej të ishin bazë për dhënien e lejeve ndërtimore por përpilimi i tyre,ne shumicën e rasteve,nuk është punuar sipas ligjit dhe akteve nënligjore dhe si të tilla nuk i kanë shërbye qëllimit për çka janë paguar firmat projektuese. Kryesorët janë profesionistët ata që kanë “detyruar” banorët e Kosovës të ndërtojnë dhe të blejnë objekte të ndërtuara pa kontroll profesional shtetëror, ashtu si veprohet në të gjitha shoqëritë e civilizuara pjesë e të cilës kemi menduar se jemi.

Kush i ka ndaluar komunat të punohet me ligjet e planifikimit dhe ndërtimit,përse nuk veprojnë ato ashtu si vepron e tërë shoqëria e civilizuar. Cili profesionist do të lejonte ndërtim në një hapësirë ku do të dëmtohen edhe ata që janë lejuar të ndërtojnë pa leje. Ma të dëmtuari do të jenë banorët e vjetër të qyteteve tona, është e pa qartë kush do të jetoj në ato objekte pasi as ata nuk do të kenë rehati që banimi kolektiv në një vendbanim kërkon.

Deri me tani në Kosovë janë “prodhuar” vetëm dokumente hapësinore dhe urbane qe janë pluhurosur në raftet komunale,pasi nuk ishin realiste dhe nuk janë realizuar,si është duke ngjarë me disa plane rregulluese të cilët kanë kushtuar shumë KOHË të humbur, ngjashëm si ka ngjarë më pare gjatë planifikimit centralist – konvencional. Mos respektimi i kohës është shkaktari kryesor i tërë katrahurës urbane në Kosovë, ku interesat individuale janë si duket ende dhe do të jenë më të rëndësishme se ato të përbashkëta.

Në kohen kur në tërë botën preferohet SHKARKIMI i qyteteve si e vetmja mundësi e mbetur për tejkalimin e kaosit urbanistik që i kanoset gati të gjitha metropoleve botërore. Në Kosovë janë propozuar disa koncepte të tejkaluara që vetëm sjellin pasoja të pa riparueshme urbane,si modele plotësisht të tejkaluara,si zonat industriale në afërsi të zonave të banimit duke i harruar parqet industriale si njëra prej formave ma të sigurta për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të qyteteve tona. Është domosdoshmëri të respektohet zhvillimi POLICENTRIK i qyteteve si një prej principeve themelore në planifikimin aktual hapësinor dhe urban në tërë rruzullin tokësor. Kjo nënkupton shkarkimin e qyteteve,por kështu nuk është duke u vepruar. Këto sugjerime nuk merren seriozisht as nga”ekspertët”e planifikimit edhe se ato ishin direktiva ndërkombëtare (ESDP-1999) që duhet respektuar nëse pretendojmë të jemi të barabartë me qytetet tjera Evropiane.

E kam të qartë se me dekrete shtetërore dhe ligje fiktive, keq të kopjuara, nuk mundemi me i rregulluar problemet e planifikimit hapësinor, atij urban dhe arkitektonik. Ato duhet me shërbye vetëm si ndihmesë, orientim,për të trasuar një rrugë të shëndoshë për të ardhmen e urbanizmit dhe arkitekturës kreative e artistike në ndonjë shoqëri.

Më duhet theksuar se ajo çka është duke ngjarë në Kosovë nuk ka lidhje me Planifikimin hapësinor, urbanizmin dhe arkitekturën pasi kjo veprimtari esenciale për një komunë duhet vënë nën kontroll shtetëror e jo të veprohet si deri me tani. Duhen intervenime urbane,legalizime shumë të dhimbshme,përpilime dhe aprovime të dokumenteve hapësinore si një domosdoshmëri e cila sado-kudo do të kanalizoi problematikën esenciale për funksionimin e një komune. Jo të ndërtojmë pa kontroll shtetërore, ku elementi i sigurisë duhej të ishte esencial e jo mos të kemi qasje te ekipeve shpëtimtare në raste emergjente të zjarreve, vërshimeve apo erërave si ka ngjarë në vitet e fundit.

Të gjithë ne dimë të ankohemi kur ngjajnë rrënimet dhe vërshime të ndryshme sa herë të bijën shi apo fryn ndonjë erë ma e fortë. Këso rastesh kemi pa numër pasi nuk është duke u punuar ashtu si e kërkojnë rregullat teknike. Dhashë zoti mos të kemi ndonjë dridhje toke,termet se atëherë do të “vetëdijesohemi” se si kemi vepruar.

Qëllimi i komunës është që të gjithë të interesuarit të ndërtojnë me rregulla dhe ligje. Që moti ka kaluar koha kur banorët janë refuzuar me arsyetime banale se “nuk kemi plane”, atëherë ata janë detyruar të ndërtojnë pa leje në shekullin XXI. Metodat e vjetra të planifikimit konvencional me ndalesa janë të tejkaluara, sot bota preferon planifikimin hapësinor dhe urban strategjik me respektimin e ligjeve në fuqi.

Askush nuk ka të drejtë morale që tërë një shoqëri të dërgoi në greminën e një humnere të pa imagjinueshme duke shikuar vetëm interesat e veta apo të një grupi të caktuar për një kohë të caktuar të cilët për përfitime personale marrin pjesë në këto procese. Ata mendojnë se kanë përfitime të mëdha materiale gabojnë tmerrësisht keq pasi ato “fitime” do ti humbin tërësish pasi kanë vepruar duke mos respektuar rregullat elementare të planifikimit hapësinor dhe urban si dhe të biznesit të tyre të ndërtimit në vendbanimet e ndryshme të Kosovës.

(Autori është ish-zyrtar i lartë në MMPH në Departamentin e Planifikimit Hapësinor – udhëheqës i divizionit të hulumtimeve. Tash punon si arkitekt i pavarur)

Exit mobile version