Ligjvënësit italianë do të zgjedhin presidentin e ardhshëm të vendit më 24 janar me kryeministrin aktual Mario Draghi mes pretendentëve.
Edhe pse funksioni i presidentit italian është më shumë ceremonial, ai ka një rol kyç në rast të një krize qeveritare.
Prej javësh po flitet edhe në shtypin italian për emrat e ndryshëm që qarkullojnë për të pasuar Sergio Mattarellan, 80-vjeçarin sicilian që ka arritur të mishërojë unitetin, raporton euronews.
Draghi, 74 vjeçar është në krye të një koalicioni të gjerë qeveritar, duke filluar nga e majta në Lidhjen sovraniste të Matteo Salvinit dhe krahun e djathtë të Silvio Berlusconit, i cili në moshën 85-vjeçare do të donte ta shihte veten si president, por konsiderohet përçarës, transmeton Telegrafi.
I pyetur për të ardhmen e tij në fund të dhjetorit, Draghi nuk u përgjigj drejtpërdrejt, duke u thënë gazetarëve se “Fati im personal nuk ka aspak rëndësi. Unë nuk kam aspirata të veçanta të një lloji apo tjetër. Unë jam një burrë, një nonno (gjysh) nëse doni, në shërbim të institucioneve”.
Kandidati tjetër kryesor për president, i cili mbështetet nga qendra e djathtë, është ish-kryeministri Berlusconi. Draghi iu përgjigj pyetjes nëse mendonte se Berlusconi ishte një kandidat i mundshëm, duke thënë se nuk i takon atij të vlerësojë krerët e mundshëm të shtetit.
Ndër personat e tjerë të këshilluar për këtë punë është edhe ish-presidenti kristian demokrat i Dhomës së Deputetëve, Pier Ferdinando Casini; ish-kreu i qeverisë dhe komisioneri aktual evropian për ekonominë, Paolo Gentiloni; dhe Giuliano Amato, një entuziast evropian 82-vjeçar që ndihmoi në hartimin e Kushtetutës Evropiane.
Metoda e zgjedhjes së presidentit është mjaft komplekse. Deputetët dhe senatorët, të cilëve u bashkohen përfaqësues të 20 rajoneve italiane – rreth një mijë njerëz gjithsej – mblidhen për të votuar.
Në tre raundet e para të votimit kërkohet një shumicë prej dy të tretash, por nga raundi i katërt i votimit e në vazhdim mjafton një shumicë e thjeshtë.
Votimi është i fshehtë, gjë që ka sjellë shumë befasi në të kaluarën, ku shumë votues nuk hezitojnë të shkëputen nga disiplina partiake. /Telegrafi/