Telegrafi

Zgjedhjet ia pamundësojnë Haradinajt pjesëmarrjen në Samitin V4 dhe WB6 në Çeki

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka treguar se nuk do të jetë pjesë e Samitit të V4 dhe WB6 në Çeki, shkaku i zgjedhjeve që pritet të mbahen në Kosovë.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se i ka dërguar letër kryeministrit të Çekisë, Andrej Babis ku i ka shprehur falënderimet për ftesën që i ka dërguar për të qenë pjesë e këtij Samiti.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,
Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e Samitit të V4 dhe WB6, nën kryesimin e Republikës së Çekisë. Përmes kësaj letre i kam shprehur falenderimet e sinqerta Kryeminstrit të Republikës së Çekisë, z. Andrej Babis, për ftesën drejtuar Kryeministrit të Kosovës për të marrë pjesë në Samit, dhe çmojmë lartë përkushtimin e Republikës së Çekisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës evropiane të rajonit.
Si Kosovë do të vazhdojmë të jemi kontribues serioz për paqe dhe stabilitet në rajon dhe ndaj dialogut me Serbinë, i cili do të përfundoj me njohje reciproke, në kufijtë ekzistues. /Telegrafi/