Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë është në pritje të vendimit që shpall datën e zgjedhjeve në mënyrë që të fillojë me përgatitjet intensive për organizimin e tyre.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas tij, për shkak të situatës me COVID-19 këto zgjedhje do të jenë sfiduese për faktin se KQZ-ja krahas përgatitjeve teknike për organizimin e këtyre zgjedhjeve duhet të merret edhe me zbatimin e masave apo rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.
“Jemi në kohë pandemie dhe sigurisht se këto zgjedhje janë sfiduese për faktin se KQZ-ja krahas përgatitjeve teknike për organizimin e këtyre zgjedhjeve duhet të merret edhe me zbatimin e masave apo rekomandimeve të institucioneve shëndetësore që lidhen me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor”, ka thënë Elezi.
I pyetur se a ka buxhet të mjaftueshëm për procesin zgjedhor, ai tha: “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për këtë proces zgjedhor i cili nuk është i planifikuar. Prandaj, KQZ-ja do të përgatis me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës në kohën kur shpallen këto zgjedhje”.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese të hënën ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh. /Telegrafi/