Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, thotë se do të ishte më mirë që zgjedhjet e pjesshme bashkiake të mbahen më 6 mars.
Në një mesazh të shkurtër në Twitter, Celibashi thotë se këtë ia ka bërë të ditur edhe presidentit Meta.
“Komunikova sot me Presidentin e Republikës për datën e zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki.
Bisedova me Presidentin që mundësisht të konsiderojë datën 6 mars 2022 si datë të zhvillimit të zgjedhjeve. Si një nga datat e mundshme, sipas ligjit, kur mundet të zhvillohen zgjedhjet, data 6 i jep pak më shumë kohë KQZ-së në përgatitjen më të mirë të mundshme të këtij procesi zgjedhor”, thotë Celibashi.
Gjatë paradites, Meta tha se data 6 mars, por edhe 27 shkurti, mund të merren në konsideratë për t’u zhvilluar zgjedhjet e pjesshme në 6 bashkitë e vendit të mbetura pa kryetar. Për këtë, ai u konsultua sot edhe me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. “Kisha frikë se mos shumica nuk merrte pjesë”, tha Meta me ironi për gazetarët, i pyetur pse nuk pati takime të ngjashme edhe me opozitën.
Në këto zgjedhje opozita vjen më e përçarë se kurrë, për shkak të krizës brenda Partisë Demokratike, ku Lulzim Basha nuk njihet më si kryetar nga një pjesë e deputetëve dhe anëtarëve të partisë, ndërsa ai vetë i ka përjashtuar këta deputetë nga grupi parlamentar dhe partia, si dhe ka pezulluar disa të tjerë.