Emri Vata është kandidati i cili ka dalë nga Primaret e Rithemelimit në qytetin e Kukësit, i cili do të garojë më 24 shtator kur do të mbahen edhe zgjedhjet për kreun e bashkisë së këtij qyteti pas shkarkimit të Safet Gjicit.
Në zgjedhjet e mbajtura ditën e sotme, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike ka monitoruar procesin nga i cili ka dalë fitues Emri Vata mes kandidatëve të tjerë si Ardian Elezi, Gëzim Shehu, Uran Cengu dhe Ylber Zeneli.
“Procesi u hap në orën 8.00 dhe u mbyll në orën 18.00. Pas numerimit të fletëve të votimit, sipas procesverbalit zyrtar të mbërritur nga Komisioni i Votimit dhe Numurimit, fitues u shpall: z. Emri Vata.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale falenderon të gjithë anëtarët që u bënë pjesë e procesit të votimit për zgjedhjen e Kandidatit në zgjedhjet e parakohshme të Bashkisë Kukës”, thuhet në njoftimin për shtyp të grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike.