Telegrafi

Zgjedhjet e parakohshme, LSDM-ja mohon pretendimet e OBRM-PDUKM-së

LSDM-ja mohon që një pjesë e deputetëve të saj mund të formojnë shumicë në mbështetje të planit të OBRM-PDUKM-së për të votuar mosbesim ndaj qeverisë Kovaçevski.

Sipas tyre, OBRM-PDUKM-në e trembin sukseset e pushtetit.

“Gënjeshtrat e OBRM-PDUKM-së janë dëshpëruese. Sallat e mbushura me njerëz, nga të cilat dëgjohej përkrahja për një të ardhme evropiane dhe për politikat e LSDM-së, është ajo që e frikëson OBRM-PDUKM-në. Një shumicë që e përkrah OBRM-PDUKM-në është vetëm një dëshirë boshe. Në vend që të gënjejnë, le të përveshin mëngët nëse duan të jenë kundërshtarë të denjë në zgjedhjet e rregullta të 2024-ës”, thonë nga LSDM.

OBRM-PDUKM-ja është e sigurt se brenda partisë më të madhe në pushtet ka deputetë që kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe janë të dëshpëruar nga puna e Kovaçevskit dhe sekretarit të përgjithshëm të partisë Zeçeviq.

“Nëse është e vërtetë, siç pretendon LSD-ja, se OBRM-PDUKM-ja ka frikë nga Kovaçevski, atëherë le t’i dëgjojë deputetët dhe le të shkojmë në zgjedhje. LSD-ja nuk e mohon se ka deputetë që u kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Dhe nuk e mohojnë sepse e dinë se është e vërtetë dhe se gjithnjë e më shumë deputetë dhe zyrtarë partiakë nuk pajtohen me Kovaçevskin dhe Zeçevicin”, njoftojnë nga OBRM-PDUKM.

Kryetari i OBRM-PDUKM-së Mickoski ditë më parë tha se është shumë afër arritjes së mbështetjes nga 61 deputetë në Kuvend me ndihmën e të cilëve do të nxisë zgjedhje të parakohshme. Se cilët deputetë nga radhët e pushtetit mund ta mbështesin idenë e partisë më të madhe opozitare, nuk e bëjnë të ditur. (Alsat)