Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, shpalli 11 qershorin datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Vendimi vjen një ditë pasi Gjukanoviq, duke iu referuar Kushtetutës së vendit, nxori dekretin për shpërndarjen e përbërjes së deritashme të Kuvendit.
Ai e mori vendimin pasi kjo shumicë parlamentare nuk arriti të formonte Qeverinë e re, apo të riorganizonte Qeverinë ekzistuese, së cilës iu votua mocioni i mosbesimit, gushtin e kaluar.
Kjo ndodhi pak kohë pasi Qeveria e Dritan Abazoviqit nënshkroi Marrëveshjen Bazë me Kishën Ortodokse Serbe.
Të dyja vendimet e Gjukanoviqit vijnë në prag të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, të cilat do të mbahen më 19 mars.
Gjukanoviq është kandidat i Partisë Demokratike të Socialistëve në këto zgjedhje.
Në garë do të jenë edhe gjashtë kandidatë të tjerë. /REL/