Site icon Telegrafi

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, ende nuk dihet sa ditë do të zgjasë fushata zgjedhore

Tash e një javë, Gjykata Kushtetuese ka nxjerr aktgjykimin pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për shpallje të pavlefshme votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor. 

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh. Megjithatë, kjo gjykatë ende nuk ua ka dorëzuar palëve aktgjykimin e plotë, rrjedhimisht ky aktgjykim ende nuk ka hyrë në fuqi.

Pavarësisht kësaj, u.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tashmë ka përfunduar takimet me liderët politikë, ku është diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Osmani po ashtu ka zhvilluar takim edhe me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ku pas takimit ajo ka theksuar se do të shpallë zgjedhjet menjëherë sapo aktgjykimi i Kushtetueses të hyjë në fuqi, pas dorëzimit tek palët.

Me Ligjin për zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës është e vendosur që fushata zgjedhore në zgjedhje të rregullta të zgjasë 30 ditë, por partitë politike në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk kanë aq shumë kohë për të bërë fushatë elektorale pasi që afatet shkurtohen.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe parakohshme kohëzgjatja e fushatës zgjedhore shkurtohet.

“Pas shpalljes së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton afatet e të gjitha aktiviteteve dhe periudhave zgjedhore, në mes e të cilave është edhe kohëzgjatja e fushatës zgjedhore. Në zgjedhje të jashtëzakonshme apo të parakohshme, të cilat duhet të organizohen brenda një kohe të shkurtër, afatet kohore të aktiviteteve shkurtohen duke u përshtatur me ditët që janë në dispozicion të KQZ-së. Se sa do të jetë kohëzgjatja e fushatës së këtyre zgjedhjeve, do të vendoset nga KQZ-ja”, sqaroi Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Ismaili

Sa i përket mbajtës së tubimeve në kohë pandemie, Elezi thotë se kjo çështje i takon institucioneve që merren me menaxhimin e pandemisë.

“KQZ-ja e përcakton kohën e mbajtjes së fushatës zgjedhore sepse është detyrim ligjor, ndërsa sa i përket masave kufizuese dhe lejimit ose jo të tubimeve publike, kjo është një çështje që i takon institucioneve tjera që merren me menaxhimin e pandemisë”, ka thënë ai.

Theksojmë se në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit 2019, KQZ kishte vendosur që fushata zgjedhore të jetë 10 ditë.

Ndryshe, pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, partitë politike kanë shprehur gatishmërinë për zgjedhje, ndërsa kanë filluar edhe me zyrtarizimin e kandidatëve për kryeministër.

“Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë  ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme rregullohen nga ligjet dhe rregullat e njëjta të KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore sipas nevojës në pajtim me rrethanat”, thuhet në ligjin për zgjedhjet.

Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve bëhet publik në ‘Gazetën Zyrtare të Kosovës’. /Telegrafi/

Exit mobile version