Telegrafi

Zgjedhjet e brendshme, përplasje të forta mes zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës (Video)

Përplasje të forta ka pasur në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, mes zyrtarëve dhe profesorit të BIK-ut.

Sekretari i BIK-ut ka thënë se teologu Xhabir Hamiti nuk është larguar nga BIK-u dhe se ai ende vazhdon të merr pagë nga institucioni i Bashkësisë Islame si profesor në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI).

“Është spekulim se Hamiti është larguar nga BIK, përkundrazi ai është i përkëdhelur dhe merr një pagë të majme nga ky institucion”.

Por, menjëherë është lajmëruar në linjë telefonike i apostrofuari Xhabir Hamiti duke u ballafaquar me zyrtarët e lartë të BIK-ut.

“Në vitin 2013 kundër Kryetarit të Kuvendit (Xhabir Hamitit) është organizuar një puç dhe e dinë të gjithë. Natën e Bajramit këta kanë shkuar dhe kanë mbledhur nënshkrime për të shkarkuar Kryetarin e Kuvendit”.

Teologu Hamiti ka hedhur edhe akuza direkte ndaj sekretarit të BIK, Resul Rexhepit duke thënë se ai është vendosur në mënyrë jomeritore në atë pozitë për shkak të përgatitjes profesionale.

“Sekretari në bazë të kushtetutës është dashur të jetë jurist e jo studiuesit të Sheriatit, prandaj vetë Rexhepi ka bërë shkelje kur ka pranuar të emërohet në atë pozitë”.

Zëdhënës i BIK-ut, Ahmet Sadriu i është përgjigjur Hamitit se ai nuk është shkarkuar nga pozita e Kryetarit të Kuvendit por i ka skaduar mandati.

“Ju zotëri nuk jeni shkarkuar por ju ka skaduar mandati. Kjo është e gjitha dhe gjithçka tjetër është manipulim nga ana e juaj”, ka deklaruar Sadriu.

Ndërsa Hamiti ka reaguar përsëri, duke thënë se mandati i është ndërprerë dhe nuk i ka skaduar./Telegrafi/

Përplasjen mes vete zyrtarët e BIK-ut

Përplasjen mes vete zyrtarët e BIK-ut

Publiée par RTV Dukagjini sur Mercredi 17 octobre 2018