Procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të Kosovës po vazhdon në ambasadat e vendeve të ndryshme të botës.
Për herë të parë po votohet edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër, transmeton Telegrafi.
“Qytetarët e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike në Londër, duke shënuar një moment historik në procesin zgjedhor. Votimi filloj në orën 07:00 dhe po vazhdon me pjesëmarrje të mirë të bashkatdhetarëve tanë. Nëse jeni të regjistruar, mos e humbni këtë mundësi historike – dilni dhe votoni”, thuhet në njoftimin e bërë nga ambasada e Kosovës në Londër.
Votimi ka nisur nga ora 07:00 dhe do të mund të votohet deri në ora 19:00.
Pamje nga votimi që po bëhet në Zvicër ka publikuar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Cyrih. Ora 08:04, temperatura -1 gradë. Ju dua shumë, aq sa nuk po di ta përshkruaj me fjalë”, ka shkruar ministrja.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë njoftuar se paraqitja e dokumentit të identifikimit me afat është i domosdoshëm për të realizuar të drejtën e votës.
Zgjedhjet parlamentare do të mbahen të dielën, më 9 shkurt./Telegrafi/