Institucionet shtetërore janë vënë në lëvizje për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor më 9 shkurt.
Lidhur me zgjedhjet, sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u mbajt takimi në mes të drejtuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme për të diskutuar për përgatitjet, bashkëpunimin dhe bashkërenditjen e aktiviteteve për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në këtë takim, përveç kryesuesit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, morën pjesë Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Artan Abazi dhe Koordinatorja nga ky institucion, Fatime Dërmaku dhe kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Zenel Leku.
Në njoftim thuhet se kryesuesi i KQZ-së, Radoniqi vlerësoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor në krijimin e kushteve që procesi zgjedhor të zhvillohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.
Drejtues dhe përfaqësuesit e institucioneve treguan për planet e tyre lidhur me angazhimin në ditën e zgjedhjeve në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e procesit zgjedhor. /Telegrafi/