Kanë arritur në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pakot e para me fletëvotimet nga diaspora.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, konfirmoi për Telegrafin se fletëvotimet janë nga Gjermania dhe Zvicra.
“Mund t’iu konfirmoj se gjatë mbrëmjes të së martës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sjellur 36,500 pako me fletëvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Gjermania dhe Zvicra.
Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve. Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë”, tha Elezi.
Ai po ashtu deklaroi se aktualisht është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlen vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit (1) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë
Kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025.
Zgjedhjet parlamentare do të mbahen ditën e diel, më 9 shkurt./Telegrafi/