Telegrafi

Zgjedhjet e 3 prillit, EULEX thotë se situata është qetë në pikëkalimet e përbashkëta Kosovë-Serbi

Qytetarët serbë nga Kosova po shkojnë në Serbi për të votuar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe, të cilat po mbahen më 3 prill.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se qarkullimi në pikëkalimet e përbashkëta kufitare Kosovë- Serbi është duke vijuar pa vonesa dhe pa incidente.

Në llogarinë e tij në Twitter, Wigemark ka shkruar se situatën po e monitoron njësia e specializuar policore e EULEX-it.

Sipas tij, EULEX po e monitoron situatën në gjashtë pikëkalime kufitare.

“Njësia e Specializuar Policore e EULEX-it dhe rezerva e saj e përbërë nga pjesëtarë të Forcës së Xhandarmerisë Evropiane janë duke e monitoruar situatën në të gjitha gjashtë Pikëkalimet të Përbashkëta Kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga orët e para të mëngjesit të sotëm. Qarkullimi është duke vijuar pa ndonjë vonesë të konsiderueshme apo incidente”, ka thënë ai.

Lexo po ashtu Dhunë e paparë gjatë zgjedhjeve në Serbi, publikohen pamjet e sulmit brutal ndaj politikanit opozitar Pavlle Grboviq

Ndryshe, raportohet se gjatë së dielës më shumë se 25 autobusë u panë në stacionin e autobusëve në Mitrovicë të Veriut, për të transportuar serbët për të votuar në Rashkë.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë ka thënë se rreth 100,000 serbë nga Kosova do të mund të votojnë në vendvotimet e tjera që gjenden në komunat në kufi me Kosovës siç janë Tutini, Rashka dhe Vranja.

Në janar të këtij viti, Kosova po ashtu kishte refuzuar që të lejojë votimin për një referendum për ndryshime kushtetuese të Serbisë.

Madje, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi në territorin e Kosovës.

Edhe për këtë vendim të Kosovës, Quint-i dhe Bashkimi Evropian kishin shprehur keqardhje./Telegrafi/