Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) përballet me sfida serioze në ruajtjen e transparencës dhe llogaridhënies në procesin zgjedhor për 2024.
Me gjithë kompetencat dhe angazhimet për parandalimin e korrupsionit, Komisioni është i pafuqishëm të marrë masa ndëshkuese ndaj zyrtarëve dhe institucioneve që nuk përmbushin detyrimet e tyre ligjore.
Në raportin e fundit, KSHPK-ja paralajmëron se për shkak të zbrazëtirave ligjore në legjislacion, nuk mund të fillojnë procedimin penal ndaj atyre që nuk dorëzojnë të dhënat e nevojshme.
“KSHPK nuk ka mundësi për të ngritur procedura penale në këtë bazë”, thotë KSHPK.
Shqetësues është fakti se 826 institucione nuk i kanë dorëzuar informacionet e duhura, mes të cilave edhe 10 ministri. Kjo alarmon për mungesë serioze të transparencës dhe mund të interpretohet si përpjekje për fshirjen e parregullsive të mundshme.
“Mosdorëzimi i të dhënave nga ana e një numër të madh institucionesh, duke përfshirë edhe ministri, është një problem i madh për shkak se këto institucione menaxhojnë resurse të rëndësishme dhe mjete publike”, tha KSHPK.
Gjithashtu, raporti i Antikorrupsionit tregon për donacione të konsiderueshme në fushatën zgjedhore. Koalicioni “Maqedonia jote” është subjekti politik me numrin më të madh të donacioneve, të cilat kryesisht vijnë nga persona fizikë. Sipas të dhënave, “Maqedonia jote” i prirë nga VMRO-DPMNE ka pranuar gjithsej 48.169.328 denarë, pra 783 mijë euro, nga donacionet e personave fizikë, që e bën atë pranuesin më të madh të donacioneve të këtij lloji.
Në raport kritikohet edhe kodi zgjedhor. KSHPK thekson dobësitë në kuadrin ligjor dhe administrativ, që krijojnë rreziqe për korrupsion.
“Ka shumë probleme në zbatimin e dispozitave ligjore që mund të çojë në rrezik të rritur për keqpërdorimin e mjeteve. Kjo gjendje kërkon reforma urgjente për arritjen e efikasitetit më të madh dhe uljen e mundësive për korrupsion, veçanërisht në procesin zgjedhor”, thotë tutje.
Është e nevojshme të forcohen mekanizmat për mbikëqyrje dhe kontroll, si dhe të vendosen sanksione më të rrepta për institucionet që nuk përmbushin detyrimet e tyre. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar një proces zgjedhor transparent dhe të drejtë, i cili është një shtyllë bazë e sistemit demokratik, thuhet në raport. /tv21