Site icon Telegrafi

Zgjedhje parlamentare me lista të hapura edhe në Maqedoni? (Video)

Partitë parlamentare në parim janë për ndryshime të Kodit Zgjedhor, me të cilat do të mundësohej që zgjedhjet të mbahen me lista të hapura por edhe Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore. Deputeti Tomisllav Tuntev nga radhët e LSDM-së, thotë se në të ardhmen do ta hapin këtë çështje, e cila mund të zgjidhet vetëm me konsensus. Deputeti i BDI-së, Ejup Alimi, tha se për këtë çështje do të bëjnë analiza në parti, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“LSDM angazhohej në periudhën e mëparshme që të ekzistojnë ndryshime në modelin zgjedhor, këtë e imponuan nevojat dhe LSDM ka në plan që seriozisht të bisedojë me të gjitha subjektet politike, por kjo është çështje me konsensus, patjetër të pajtohen të gjithë, për shkak se qëllimi ynë është që të sigurohen zgjedhje, fer, të rregullta dhe demokratike”, ka thënë për TV Shenja, Tomisllav Tuntev, nga LSDM-ja.

Deputeti i BDI-së Ejup Halimi tha se do ta japin qëndrimin pasi t’i bëjmë të gjitha analizat. Sipas deputetit të Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, kodi dhe sistemi zgjedhor ka qenë një nga çështjet të diskutuara në vend, i cili shpesh ka prodhuar edhe situata problematike me rezultatet zgjedhore. Zendeli thekson se përveç ndryshimeve të Kodit zgjedhor, nevojitet edhe vullnet politik për zgjedhje korrekte.

“Është i rëndësishëm Kodi zgjedhor, por është mbi të gjitha e rëndësishme, qeverisja, pushteti sa ka vullnet të mirë të mbajë zgjedhje korrekte dhe demokratike. Mundetmi ne të bëjmë kod zgjedhor perfekt, mirpo nëse pushteti nuk ka vullnet të mirë që të organizojë zgjedhje korrekte dhe demokratike ne do të kemi probleme”, ka thënë Zendeli.

Ndërsa nga Aleanca për Shqiptarët, deputeti Syreja Rushiti deklaroi se për këtë çëshje do ta mbajnë qëndrimin e shprehur edhe më herët që vendi të jetë një njësi zgjedhore.

“Ka qenë qëndrim i vazhdueshëm i ynë në platformën tonë, në programën tonë, që Aleaca angazhohet për një njesi zgjedhore, për lista të hapura, dhe kuptohet çdo ide dhe iniciativë që do të hapet në lidhje me diskutimin për sistemin zgjedhor ne do ta mbajmë këtë qëndrim. Deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk deshën të prononcohen për këtë çështje”, ka thënë Rushiti./Telegrafi/

Exit mobile version