Site icon Telegrafi

Zgjedhje me standarde ndërkombëtare

Zgjedhjet e fundit (të parakohshme) të mbajtura më 12 dhjetor 2010 në Kosovë ishin një test i mirë për zhvillimin e demokracisë pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Këto zgjedhje ishin kryesisht të qeta dhe demokratike dhe për herë të parë të organizuara nga faktori vendor, por të monitoruara nga vëzhgues të ndryshëm vendor dhe ndërkombëtar. Të gjithë këta faktorë kishin përshtypjen për një zhvillim normal të këtyre zgjedhjeve dhe me standarde të kënaqshme ndërkombëtare, edhe pse kishte disa incidente të vogla e të izoluara, të cilat nuk kishin ndikuar në vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe rezultatin e tyre.

Qytetarët e Republikës së Kosovës, për herë të parë kishin shprehur lirshëm vullnetin e tyre si qytetar dhe shtetas të një vendi sovran për formacionet e tyre politike, por edhe të zgjedhurit e tyre për parlamentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës.

Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së del se forca kryesore politike në Kosovë mbetet PDK-ja, e cila edhe në këto zgjedhje kishte fituar mbi 33% të votave në Kosovë, ndërsa LDK-ja, si parti i dytë kishte arritur të fitojë mbi 23% të tyre. Këto dy forca politike, njëherësh ishin rivalet kryesorë të këtyre zgjedhjeve, edhe pse kjo e dyta ishte shkaktari kryesor i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve të parakohshme. Mbështetja ndaj PDK-së ishte më e madhe dhe paraqet një rikonfirmim të ri ndaj politikës së këtij subjekti.

Ndërsa, risia e këtyre zgjedhjeve ishte futja në garën zgjedhore e Lëvizjes Vetëvendosje dhe forcimi i saj politik me mbi 12% të votave. Kjo Lëvizje, tani është forca e tretë në vend, kurse nëpër disa komuna ka kaluar si forcë e dytë me tendencë të rritjes së saj në të ardhmen. Zhvillimi i kësaj force politike është një zgjidhje e mirë për demokracinë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës, sepse kjo do të ndikojë në ngritjen e vlerave demokratike të këtij shteti.

Derisa PDK-ja shfaqet si subjekti stabil në skenën politike të Kosovës, LDK-ja, ky formacion i vjetër politik nuk kishte arritur të tregojë rezultate përkundër disa ndërrimeve në hierarkinë e saj, sidomos pas shkarkimit të ish-kryetarit Fatmir Sejdiut dhe zgjedhjes së Isa Mustafës për lider të saj. Ky subjekt politik, përfundimisht duhet të kalojë në opozitë, sepse është për të mirën e demokracisë, por është edhe koha që ky shtet të ketë një opozitë të konsoliduar dhe të fortë në mënyrë që proceset politike të ecin përpara në Kosovë.

Reformimi dhe konsolidimi i këtij subjekti, por edhe i disa subjekteve më të vogla, si AAK, AKR, LDD, FER do të duhej të ishte domosdoshmëri për vetë këto grupime, por edhe për të mirën e demokracisë në Kosovë. Në këto zgjedhje të gjitha këto parti nuk kishin ndonjë ofertë serioze për elektoratin e Kosovës dhe për këtë arsye nuk kishin marrë mbështetjen e duhur, andaj ato duhet të rishikojnë politikën e tyre dhe të hartojnë kontrata më serioze karshi votuesve të Kosovës.

Konfigurimi i ri politik në Kosovë do të jetë i pashmangshëm, sepse kjo është në dobi të qytetarëve të Kosovës, por është interes edhe shtetëror i saj. Tani, pas fitores bindëse PDK-së mbetet që ky formacion më i madh në Kosovë të përcaktojë formatin e Qeverisë së ardhshme, e cila do të ketë sfida të radhës. Kryetari i PDK-së, z. Hashim Thaçi ka lënë hapur të gjithë opsionet për ata që do të rreshtohen në projektin e shtet-ndërtimit të Kosovës, por edhe të integrimeve euro-atlantike, zhvillimit ekonomik, zvogëlimit të papunësisë, luftës ndaj korrupsionit, vazhdimin e reformave në arsim, shëndetësi, si dhe në shumë sfera të jetës publike të këtij shteti më të ri në botë. Të gjitha këto pika do të jenë në fokus të Qeverisë së ardhshme shtet-ndërtuese, por kjo duhet të mbështet edhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh përcaktimin e tyre politik, sepse kjo në radhë të parë është në interesin e tyre.

Padyshim, se kësaj politike i duhet edhe një mbështetje më e fuqishme ndërkombëtare, sidomos në aspektin e investimeve ekonomike, sepse zhvillimi ekonomik është përcaktues i shumë sferave tjera të jetës së Kosovës. Shumica e elektoratit votues të Kosovës edhe kësaj radhe iu kishte dhënë shansin dhe besimin PDK-së dhe lidershipit të saj, por ata këtë duhet ta shfrytëzojnë në mënyrë që të shtojnë edhe më tepër përgjegjësinë e tyre publike, por njëherësh këtë besim t’ua shpërblejnë me punë dhe me realizimin e projekteve të ndryshme, si për interesin e qytetarëve, por edhe për interesin e shtetit të Kosovës.

Exit mobile version