Site icon Telegrafi

Zgjedhja e presidentit dhe Kushtetuta e Kosovës!

Bazuar në nenin 86, nga pika 1 dhe deri në pikën 5, të Kushtetutës aktuale të Republikës së Kosovës Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet me votim të fshehtë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputeteve të Kuvendit, gjë kjo që do të thotë se, nëse asnjëri nga kandidatët nuk e merr shumicën prej dy të tretave (2/3) të votave në dy votimet e para, atëherë organizohet votimi i tretë në mes të kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputeteve zgjidhet President i Republikës së Kosovës. Kurse në pikën 6 të nenit 86 të Kushtetutës aktuale të Republikës së Kosovës decidivisht thuhet kështu: Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallën zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë ditësh.

Por, Kushtetuta aktuale e Republikës së Kosovës askund dhe në asnjë pikë të nenit 86 nuk e ka parashikuar dhe sanksionuar as mundësinë e kandidimit të një kandidati të vetëm dhe as procedurat që duhet të ndiqen gjatë zgjedhjes së një kandidati të vetëm për President të Republikës së Kosovës, siç ndodhi më 22 shkurt kur President i Republikës u zgjodh Zoti Behgjet Pacolli, ku edhe në rastin konkret u ndoqën procedurat e njëjta sikur të ishin disa kandidatura…

Në rastin konkret, gjatë zgjedhjes së Zotit Behgjet Pacolli për President të Republikës së Kosovës, përballë të cilit nuk ishte asnjë kandidaturë tjetër dhe zoti Pacolli ishte kandidatura e vetme, më 22 shkurt të vitit 2011, u ndoq e njëjta procedurë sikur të ishin disa kandidatura, ashtu siç parashihet në nenin 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe që as në votimin e dytë Zoti Pacolli nuk arriti që të merrte dy të tretat (2/3) e votave (81 votat) të 120 deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, por vetëm në votimin e tretë mezi i mori 62 vota nga 61 votat e domosdoshme për të mos u shpërbë Kuvendi i Republikës së Kosovës, i cili u konstituua më 21 shkurt 2011, dhe që sipas pikës 6 të nenit 86 të Kushtetutës aktuale të Republikës së Kosovës brenda dyzetepesë (45) ditësh do të duhej që të mbaheshin zgjedhjet e reja.

Pra, në rastin konkret kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Zoti Jakup Krasniqi, si dhe nga deputetet e koalicionit qeverisës: PDK, AKR, Lista Ibrahim Rugova dhe…. , parandej edhe konsideroj se, deputetet opozitarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës urgjentisht duhet që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për të shqyrtuar dhe interpretuar kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Zotit Behgjet Pacolli për President të Republikës së Kosovës.

Exit mobile version