Telegrafi

“Zgjati më shumë se parashikimet”, Eva Buzo vazhdon notin drejt brigjeve të Shqipërisë

Eva Buzo, 35-vjeçarja shqiptare që jeton në Australi, pati komunikimin e saj të parë në rrjetet sociale që nga fillimi i sfidës së saj të notit drejt brigjeve të Shqipërisë.

Në një video të kapur nga ekipi që po shoqëron 35-vjeçaren, ajo dëgjohet teksa thotë se udhëtimi zgjati më shume se parashikimi fillestar.

Megjithatë ajo shprehet se edhe 10 orë not do ti duhen për të arritur në brigjet e Vlorës, raporton Telegrafi Shqipëri.

Lexo po ashtu Mbi 25 orë në ujë, 35-vjeçarja shqiptare vazhdon notin nga Otranto drejt Vlorës

E nisur dje në orën shtatë të mëngjesit nga Otranto në Itali për të mbërritur në Vlorë, ajo tashmë ndodhet në det të hapur brenda ujërave territoriale të Shqipërisë.

Vendndodhjen e shqiptares së guximshme e kanë zbuluar familjarët përmes një sistemi ku ajo mund të shihet në kohë reale.

Nisma e 35-vjeçares për të promovuar Shqipërinë turistike ka tërhequr vëmendjen e mediave në Shqipëri dhe Itali.

Mësohet se ajo pritet të hyjë në histori si femra e parë në botë, që kalon kanalin e Otrantos me not. /Telegrafi/