Eva Buzo, 35-vjeçarja shqiptare që jeton në Australi, pati komunikimin e saj të parë në rrjetet sociale që nga fillimi i sfidës së saj të notit drejt brigjeve të Shqipërisë.
Në një video të kapur nga ekipi që po shoqëron 35-vjeçaren, ajo dëgjohet teksa thotë se udhëtimi zgjati më shume se parashikimi fillestar.
Megjithatë ajo shprehet se edhe 10 orë not do ti duhen për të arritur në brigjet e Vlorës, raporton Telegrafi Shqipëri.
E nisur dje në orën shtatë të mëngjesit nga Otranto në Itali për të mbërritur në Vlorë, ajo tashmë ndodhet në det të hapur brenda ujërave territoriale të Shqipërisë.
Vendndodhjen e shqiptares së guximshme e kanë zbuluar familjarët përmes një sistemi ku ajo mund të shihet në kohë reale.
Nisma e 35-vjeçares për të promovuar Shqipërinë turistike ka tërhequr vëmendjen e mediave në Shqipëri dhe Itali.
Mësohet se ajo pritet të hyjë në histori si femra e parë në botë, që kalon kanalin e Otrantos me not. /Telegrafi/