Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani e pranishme në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, në lidhje direkte në emisionin “Mix për Mix” në Radio Dukagjini, foli për suksesin e sportistëve kosovarë në këto lojëra.
Paraqitja e sportistëve kosovarë në këto lojëra olimpike sipas zëvendëskryeministrës, ishte fantastike, duke nisur me fitoren e Donjeta Sadikut në boks, e duke mbyllur ditën e djeshme me medaljen e argjentë në xhudo për Distria Krasniqin. Osmani deklaroi se kjo është një arritje fantastike e Distrias dhe trajnerit të saj Driton Kukës, por edhe e Federatës së Xhudos dhe gjithë komunitetit sportiv.
Zv.Ministrja uroi që Donjeta Sadiku ta kalojë tutje në ndeshjen që ka sonte me fillim nga ora 20:00.
“Uroj shumë që ta tejkalojë edhe këtë fazë, të vazhdojë në pjesën e çerekfinaleve të cilat zhvillohen më vonë. Padyshim që s’do ta ketë të lehtë… Të gjithë sportistët e kualifikuar janë potencialë për medalje”, deklaroi Osmani.
Ndonëse xhudistja Nora Gjakova humbi në raundin e parë, Osmani deklaroi se ishte një kënaqësi ta shohim atë të garojë, si kampione olimpike nga “Tokyo 2020”, duke veçuar momentin kur Nora e Akili, vëlla e motër garonin në të njëjtën kohë në kategoritë e tyre.
Ndonëse xhudisti jonë Akil Gjakova humbi në gjysmëfinale duke mos arritur të vazhdojë luftën për medalje të artë, Osmani deklaroi se kjo luftë e Akilit në sytë e saj ishte më e mira që ai ka bërë ndonjëerë.
Në rrjetet sociale të Presidentes Vjosa Osmani e Kryeministrit Albin Kurti gjatë këtyre lojërave olimpike është vërejtur një mbështetje më e zbehtë ndaj Akil Gjakovës krahasuar me sportistët tjerë, e për këtë Osmani deklaroi se kjo mund të jetë vetëm në rrjete sociale, pasi në Paris, Akili ashtu si edhe sportistët tjerë e kanë mbështetjen edhe të presidentes edhe të kryeministrit.
Lidhur me çështjen e Akilit dhe akuzat që janë drejtuar kundrejt tij, Zv.Ministrja Osmani deklaroi se rasti mbetet pa vendim të prerë, dhe kësisoj Akili mbetet kampion i Kosovës dhe mbetet sportist që na përfaqëson më së miri.
“Duhet të jemi të durueshëm, të presim vendime të prera të këtyre aktakuzave dhe të këtyre proceseve të cilat janë veçse të hapura, por nuk mund t’i ndërlidhim këto të dyja së bashku përderisa nuk ka vendime të prera nga institucionet e rendit”, theksoi Osmani.
Ajo shtoi se në rast të vendimeve të prera, Kosova ka ligjet dhe rregullat vendore të cilat duhet zbatuar, e mbi të cilat nuk është askush.