Site icon Telegrafi

Zëvendësministrja Gashi: Kosova kërkon përkrahje të shtuar nga BE-ja për integrimin euroatlantik

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të përfundimit të kryesimit të Këshillit të Bashkimit Evropian nga Hungaria.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, zëvendësministrja Gashi e falënderoi ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, z. Béla Bozsik, për bashkëpunimin e treguar me institucionet tona dhe e përgëzoi për angazhimin që Hungaria ka treguar gjatë kryesimit të Presidencës në Bashkimin Evropian.

Duke reflektuar mbi angazhimin e Presidencës Hungareze të BE-së, zëvendësministrja Gashi vuri në pah se kjo periudhë ka përkuar me një kohë të trazuar për Bashkimin Evropian, e cila u karakterizua nga sfida të shumta gjeopolitike, duke përfshirë luftën në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, si dhe çështje të tjera, si migrimi i paligjshëm dhe konkurrenca ekonomike. Në këtë kontekst, zëvendësministrja Gashi tha se Presidenca Hungareze ka shënuar suksese të rëndësishme, duke përfshirë miratimin e paketës së 15-të të sanksioneve për Ukrainën dhe anëtarësimin historik të Rumanisë dhe të Bullgarisë në Zonën Schengen.

“Një nga arritjet e rëndësishme për Kosovën gjatë kësaj periudhe ishte miratimi i programeve të reformave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Kosovën, në kuadër të Programit të Reformës dhe Rritjes. Ky vendim hapi rrugën për një paketë ndihme prej 6 miliardë eurosh, duke përforcuar përkushtimin e BE-së ndaj këtij rajoni”, tha zëvendësministrja Gashi.

Gjithashtu, zëvendësministrja Gashi e vlerësoi Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Budapest, ku Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, zhvilloi takime me liderë të rëndësishëm të BE-së, duke përfshirë kryeministrin hungarez, Viktor Orbán. Në këtë samit u theksua nevoja për t’i hequr masat e padrejta ndaj Kosovës dhe për ta avancuar aplikimin e saj për statusin e kandidatit në BE.

Megjithatë, znj. Gashi theksoi zhgënjimin për mungesën e progresit në heqjen e plotë të masave të padrejta dhe për mosnisjen e procesit formal për statusin e kandidatit të Kosovës. Ajo shprehu shqetësimin se BE-ja vazhdon ta lidhë integrimin e Kosovës me dialogun me Serbinë, duke i dëmtuar aspiratat e qytetarëve të saj.

“Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në BE është e panegociueshme. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për t ‘i përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet e kërkuara. Presim që Presidenca Polake e BE-së ta avancojë procesin e zgjerimit dhe të sigurojë një qasje të drejtë dhe të paanshme ndaj Kosovës”, përfundoi znj. Gashi.

Exit mobile version