Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) përmes një komunikate për media thotë se është thellësisht i shqetësuar me deklaratat e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, të bëra përmes një statusi në Facebook, ku i quan prokurorët kriminel.
KPK thotë se “deklaratat e Zëvendësministrit të Drejtësisë janë linçuese, tendencioze, paragjykuese dhe kanë për qëllim dëmtimin e sistemit prokurorial”.
“Nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklaratat e tilla do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional”, thuhet në reagim, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq, Prokurori i Shtetit siguron opinionin se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media, dhe çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës si organ i pavarur kushtetues nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë interferim nga askush për çfarëdo interesi personal, grupor apo politik të cenojë integritetin e sistemit prokurorial”, vijon reagimi.
Ndryshe, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu sot përmes një postimi në Facebook ka shkruar se po dëshmohet se prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale.
“Në vend të ndjekjes së kriminelëve, ditëve të fundit, por jo vetëm, po dëshmohet që vet prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale. Është nevojë urgjente që kjo situatë të ndryshojë.
Përveç mekanizmit të vetingut, janë shumë të rëndësishme edhe ndryshimet ligjore që eliminojnë piramidat kriminale. Siç kemi thënë shteti i së drejtës nuk ka alternativë, prandaj edhe shumë shpejt pritet që këto ndryshime t’i procedohen Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Sallahu. /Telegrafi/