Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vesel Krasniqi, ka prezantuar para përfaqësuesve të kompanive konsulente turke potencialin që ka bujqësia në Kosovë. Këtë gjë ai e ka bërë gjatë një takimi që ka pasur me udhëheqësit e kompanisë konsulente për investime në bujqësi dhe pylltari “Asya Tarim”, nga Turqia.
Zëvendësministri Krasniqi ka prezantuar të arriturat në bujqësi, si dhe mbështetjen që Qeveria e Kosovës ka dhënë ndër vite për zhvillimin e këtij sektori.
Ai potencoi se duke parë potencialin që ka bujqësia në ekonominë e vendit, janë rritur dukshëm investimet nga shteti. Me këtë rast, Krasniqi i ka njoftuar konsulentët turq edhe me disa nga nën sektorët me më potencial në vend, duke i ftuar bizneset turke që të konsiderojnë mundësitë për investime në Kosovë në sektorin e bujqësisë.
Ndërkaq, Ibrahim Sanci, udhëheqës i kompanisë “Asya Tarim”, tha se janë të gatshëm të investojnë në sektorin e fidanëve, kryesisht në ngritjen e serrave për kultivimin e fidanëve.
Zëvendësministri Vesel Krasniqi shtoi se Qeveria e Kosovës, do të jenë të gatshëm të ndihmojnë çdo investitorë, duke eliminuar burokracitë dhe qasjen në çdo aspekt tjetër që lidhet me funksionimin e bizneseve. /Telegrafi/