Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, priti në një takim një delegacion nga Parlamenti i landit Nordrajn Vestfalen i Gjermanisë (Nordrhein Westfalen – NRW), të përbërë nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, me të cilët ka biseduar lidhur me zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë, si dhe me reformat evropiane të bëra në këtë sektor.
Januzi, duke folur për ndikimin që Nordrhein Westfalen ka në ekonominë e Gjermanisë, theksoi nevojën e bashkëpunimit me këtë land, me qëllim të avancimit të mëtejmë të sektorit të bujqësisë me praktikat më të mira evropiane.
Me këtë rast, ai theksoi se tashmë edhe Marrëveshja për Stabilizim Asocim (MSA) mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, është një platformë shumë e mirë për bashkëpunim në mes të dyja vendeve, duke shfrytëzuar në këtë mënyrë potencialet e mundshme për bashkëpunim në këtë sektor.
Zëvendësministri Januzi, me këtë rast falënderoi shtetin gjerman për ndihmën që po i jep Kosovës, në veçanti sektorit të bujqësisë.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e Parlamentit të landit Nordrajn Vestfalen të Gjermanisë, konfirmuan gatishmërinë e tyre për nisma të reja të bashkëpunimit me Kosovën, në veçanti në sektorin e bujqësisë. /Telegrafi/