Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi mori pjesë në hapjen e panairit ndërkombëtar për bujqësi dhe blegtori, i cili po mbahet në Izmir të Turqisë Ky panair është një ndër panairet më të mëdha në botë për sektorin e bujqësisë.
Me këtë rast Januzi pati një fjalë rasti në hapjen e panairit, ku në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës falënderoi qeverinë dhe popullin turk për mbështetjen e vazhdueshme që i ka bërë sektorit agrokultural të vendit tonë.
Po ashtu Januzi i informoi pjesëmarrësit për hartimin e politikave dhe programeve të cilat po bëhen në linjë me politikat e përbashkëta bujqësore të BE-së. Rol të veçantë në Kosovë po merr përdorimin e teknologjisë dhe metodave bashkëkohore në prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe agroushqimore.
Zëvendësministri Januzi theksoi se pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, Kosova, bujqësia dhe fermeri kosovar do të ketë mundësi shumë të mëdha për pjesëmarrje në tregun konkurrues të BE-së.
Gjatë ditës zëvendësministri MBPZHR Vezir Januzi ka zhvilluar takim pune edhe me ministrin e Bujqësisë së Republikës së Turqisë Faruk Qelik. /Telegrafi/