Me rastin e shënimit të 10 vjetorit të STIKK-ut, në emër të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, zëvendësministri Bujar Cakolli, i uroi punë të mbarë Kuvendit jubilar duke e çmuar lartë punën 10 vjeçare të kësaj organizate në lëmin e Teknologjisë informative dhe komunikimit.
“Zhvillimi i sektorit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit ka shënuar hov dhe po vazhdon me ritme të shpejta, duke u bërë sektor i rëndësishëm dhe me perspektivë. Rritja e kapaciteteve të prodhimit vendor dhe konkurrueshmërisë, janë prioritete të qeverisë tonë, synime edhe të procesit tonë integrues”, ka thënë zëvendësministri Cakolli.
Deri më tani, sipas tij, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ka bërë hapa të rëndësishëm në krijimin e kornizës ligjore dhe strategjike që mundëson zhvillimin e inovacionit.
“Tregu i sektorit të teknologjisë në përgjithësi dhe ai i ofrimit të shërbimeve teknologjike po rritet shumë shpejtë, jemi duke bërë punë shumë të madhe që potencialin e të rinjve ta stimulojmë, duke u munduar që Kosovën ta bëjmë Qendër rajonale të zhvillimit të ekonomisë digjitale”, tha Bujar Cakolli.
Angazhimi i përbashkët i Institucioneve dhe sektorit privat, garanton rezultate në zhvillimin ekonomik të vendit, vuri në pah zëvendësministri Cakolli, duke vënë në fokus potencialin e të rinjve të Kosovës, formimin dhe zhvillimin e shkathtësive e tyre si një aset i vërtetë e Kosovës dhe fuqisë së saj konkurruese në tregun global. /Telegrafi/